Raboshta: Luftëtari di të kalojë çdo situatë
Sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, i cili shënoi golin e parë në fitoren 1-2 në Vlorë, beson se edhe në mesjavë me Kukësin do të merren 3 pikët
Jasmin Raboshta ishte shënuesi i parë i Luftëtarit në premierën e kampionatit dhe po i tillë rezulton edhe për fazën e dytë, tek i shënoi përsëri Vlorës, këtë radhë në fushën e saj. Ai dhe Mersini bënë që cunami i djemve të Adriatikut të mos jetë i efektshëm dhe Luftëtari të korrë një fitore të rëndësishme, si për 3 pikët, ashtu dhe për gjendjen psikologjike, si për të bindur edhe më skeptikët.
Kështu, dyshja Dede-Novi e filloi si stafi i mëparshëm Hysi-Ciko, ndërkohë që Kristidhi është pjesëmarrës në të dy gëzimet. Me këtë fitore ekipi në fjalë arriti në 12 të tilla dhe nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të regjistrojë edhe të 13tën të mërkurën, edhe pse numri është ters. Por me siguri Luftëtari do ta marrë përderisa ndeshjen e ka në fushën e tij, ku është treguar tërësisht i pathyeshëm.
Në Vlorë shkodrani Raboshta barazoi 1-1, kurse gjirokastrito-tiranasi Mersini shënoi golin e fitores 1-2. Në mesjavë Luftëtari do të luajë ndeshjen e prapambetur me Kukësin, që mban vendin e dytë. Në vitin 1978, kur Luftëtari arrinte zenitin e tij, duke dalë nënkampion, në kështjellën e legjendave të Argjirosë, në F.F.K.
Vallja e burrave të Kukësit (artistiko-atletike, me motiv sportin e mundjes, karakteristik për kuksianët) rrëmbente duartrokitjet e gjithë të pranishmëve, jo vetëm vendas. Po tani çfarë do të prezantojë ekipi kuksian i futbollit në stadiumin Gjirokastra? Kjo gjë do të mësohet ditën e mërkurë.
Raboshta Jasmin Raboshta, autor i 6 golave deri tani, hyri në lojë në minutën e 10-të, pas dëmtimit të Norës, dhe e tregoi veten. Për fitoren e së shtunës dhe përballjen me Kukësin, ai shprehet:
Luftëtari tregoi edhe një herë se është zotërues i situatave pothuajse në çdo ndeshje. Edhe në Vlorë, ku hasi në vrullin dhe dëshirën e djemve vendas me perspektivë, arriti ta përmbyste rezultatin dhe të realizonte një fitore të rëndësishme, që na jep edhe avantazhin psikologjik për ta përballuar me sukses ndeshjen e prapambetur me Kukësin në fushën tonë.
Kukësi jo rastësisht është në vend të dytë, pra ai është një ekip i fortë dhe i motivuar, aq më tepër që, sikundër thuhet, ka financa të mira. Ekipi ynë po ashtu është agresiv dhe i vendosur si asnjëherë tjetër këto 5 sezonet e fundit, që kërkon me ngulm kthimin në superiore. Pra, do të ndeshen dy ekipet më ambicioze të kategorisë së parë.
Për mendimin tim, nuk është kjo ndeshja që do të përcaktojë titullin kampion, sepse faza e dytë sapo filloi dhe ka edhe 14 ndeshje, por, duke qenë se luajmë në fushën tonë dhe do të bëjmë prezantimin e ekipit të fazës së dytë para publikut gjirokastrit, besoj se do të jemi shumë më afër fitores sesa kundërshtari.
