Kukulla të qëndisura në Pogradec/ Gegprifti krijon me grep personazhe të filmave të animuar

Në Tushemisht të Pogradecit një nga fshatrat më të bukur të të gjithë Qarkut, ndodhet Përparime Gegprifti, të cilën prej vitesh e gjen pranë qëndrës së fshatit. Ajo ka shfaqur në vitrinë punimet e saj të veçanta të qëndisura me grep.
Nuk janë punime të zakonshme si perde apo çentro që jemi mësuar t’i shohim shpesh nga qëndistaret.
Zonja ka zgjedhur të krijojë me duart e saj personazhe të ndryshme të filmave të animuar. Ajo tregon për mikrofonin tonë se turistët i pëlqejnë shumë këto punime të veçanta.
Gegprifti na tregon gjithashtu se nuk është e lehtë për të që të krijojë këto personazhe dhe se i duhet shumë kohë për t’i realizuar.
Tushemishti është kthyer vitet te fundit në një nga destinacionet e preferuar të turistëve. Në qendër të fshatit ofrohen nga banorët produkte vendase ushqimore dhe artizanale, ndërsa Gegprifti ka zgjedhur pikërisht këto punime të veçanta për t’iu bërë përshtypje vizitorëve.
Gazetar: E. Prenjasi
/rtsh.al/