Kule: Abuzimet në maturë, të mos fajësohen mësuesit, por sistemi
Rektori i UT-së propozon që provimet me zgjedhje të administrohen nga fakultetet
Abuzimet e konstatuara në procesin e maturës kanë shkaktuar debate jo vetëm në institucionet parauniversitare, por edhe në fakultetet e vendit. Alarmi vjen nga rektori i universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili dënon procedurat e këtij sistemi më shumë sesa mësuesit. Kështu, nisur nga problematika e evidentuar në maturën e këtij viti, rektori i UT-së i kërkon Ministrisë së Arsimit që provimet e maturës shtetërore të mos administrohen vetëm nga shkollat e mesme, por edhe nga universitetet. Ai thekson se vetëm nëpërmjet kësaj praktike do të kemi procese transparente, në të kundërt do të vijojë të jetë prezent fenomeni i korrupsionit, për rrjedhojë niveli i studentëve të vitit të parë do të jetë i dobët. Për herë të parë, Kule pohon zyrtarisht se nuk ka qenë asnjëherë dakord me modelin aktual të maturës shtetërore. Kështu ai propozon që testet me detyrim të administrohen nga shkollat e mesme, ndërsa ato me zgjedhje nga universitetet, të cilat dinë më mirë se çkërkohet për të qenë student në fakultete, ato që merren drejtpërdrejt me pranimet.
“Po të shkojë puna te mësuesit tregon se faji nuk është tek mësuesi po te procesi dhe procedura që krijon situata të tilla. Procedura e pranimit në shkollën e lartë ka nevojë të bëhet siç bëhet në të gjitha vendet e Europës. Universitetet ofrojnë tërësinë e kritereve që kërkojnë të marrin nga nxënësit, sipas llojit të fakulteteve, ata e dinë se çfarë prirje duhet të kenë. Matura duhet të mbyllë ciklin e shkollës së mesme, pranimet janë problem për universitetet”, tha Kule.
Ai vë theksin sidomos te niveli i dobët i studentëve të vitit të parë, të cilët zotërojnë njohuri të pamjaftueshme te lëndët bazë. Kjo sipas rektorit të UT-së, është një handikap nga shkolla e mesme, që ndikon dhe te notat e tyre, pasi në vitin e parë regjistrohet një numër i konsiderueshëm mbetësish.
“Kanë ardhur shqetësime nga vetë studentët e Fakultetit të Mjekësisë, nga pedagogët e tyre që ka raste që në lëndët bazike që duhet të kenë marrë notën nga shkolla e mesme i kanë të dobëta. Kjo për shkak se në lëndët bazike, si kimi, biologji, nxënësit shfaqen indiferent dhe interesi për ti mësuar ato është i vogël. Kjo ndodh për shkak se ato fokusohen te lëndët, që testohen në maturën shtetërore, duke mos kuptuar që kjo krijon boshllëk, shton Kule. Këto deklarata kreu i UT-së i bëri dje gjatë përcjelljes së 30 studentëve të shkëlqyer shqiptarë në universitetet më të mira të Europës, gjysma e të cilëve janë produkt i Fakultetit të Mjekësisë. Ata do të ndjekin një vit të plotë akademik në universitetet më të mira të Italisë, Spanjës, Holandës dhe Irlandës, ndërsa dërgimi i tyre në këto institucione i ka kushtuar shtetit një shifër prej 250 mijë dollarësh. - Shpresa Mezini
Gjuhët e Huaja
Shkurtohen 28 pedagogë të anglishtes, dekania: Rektorati nuk ka pyeti
Numri aktual i pedagogëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja do të reduktohet. Kërkesa është bërë nga rektorati i këtij institucioni, ndërsa është miratuar nga Këshilli i Administrimit të Universitetit të Tiranës, i cili ka vendosur të shkurtojë 28 mësues të gjuhës angleze, ndonëse katër muaj përpara çeljes zyrtare të vitit të ri akademik. Departamenti i Gjuhës Angleze ka 50 pedagogë, ndërkohë që me shkurtimin që do të bëhet, do të mbeten vetëm 22. Krijimi i këtyre bërthamave të çdo Fakulteti duke marrë stafin pedagogjik nga stafi i Gjuhëve të Huaja natyrisht lë një boshllëk dhe një vakum shumë të madh, sepse unë në tetor gjendem para një pikëpyetjeje shumë të madhe, kush do më japë mësim? Pra 2/3 e lëndëve e ciklit të parë dhe të dytë, nëse mua më ikin një numër i konsideruar i pedagogëve, sepse është më shumë se 50%m kush do ta zhvillojë mësimin, tha Klodeta Dibra, dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Sipas saj, ky vendim do të ketë pasoja për studentët, duke qenë se propozimi është miratuar pa pyetur përfaqësuesit e këtij fakulteti. Ende asnjë reagim, ende asnjë komunikim qoftë për të kërkuar edhe disa sqarime. Kjo është shumë shqetësuese sepse jemi në sezon vere, është mbyllur procesi mësimor dhe po mbyllet edhe procesi i provimeve. Pedagogët ndërkohë janë shumë të shqetësuar, theksoi dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ajo shton se pak kohë më parë, në emër të dekanatit i ka kërkuar rektoratit të Universitetit të Tiranës nëpërmjet një shkrese zyrtare rritjen e stafit aktual të pedagogëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. E shqetësuar, ajo thotë se jo vetëm që nuk është marrë në konsideratë ky propozim, por kërkesa u shoqërua me shkurtim të numrit të tyre. Sh.Me
Kule: Abuzimet në maturë, të mos fajësohen mësuesit, por sistemi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip