E Shtunë, 31 Tetor 2026

MBI SHERR-DEBATET

Duket qartë se artikulimi me zë të lartë i sloganeve të fushatës dhe jo argumentet do të jenë lajtmotivi i të ashtuquajturve "debate" televizive, që do të ndjekim gjatë këtyre kohëve të mbetura deri në zgjedhjet e pritshme politike. Kjo është e vërtetë për secilin kanal televiziv, i cili parapëlqen (për shumë arsye) organizimin dhe përcjelljen e këtyre "debateve". Pas një zhurme të gjerë dhe skepticizmi popullor që shoqëroi do kohë më parë një "sherr" mes të rinjve, të cilët sapo po hyjnë në politikë, asnjëra nga forcat politike kryesore nuk e gjeti me vend të rishikonte së paku teknikat që duheshin përdorur në këto ballafaqime të domosdoshme politike. Përkundrazi: agresiviteti i interpretuar shumë keq dhe kallp, retorika boshe dhe mungesa totale e argumenteve duket se do të bezdisin, me një këmbëngulje në rritje, veshët e "elektoratit". Të krijohet përshtypja se të njëjtët njerëz, pasi lënë sheshet e mitingjeve, me po atë energji, u përvishen kundërshtarëve nëpër ekranet që mavijosen nga dhimbja e telespektatorëve. Gjithnjë e më shpesh moderatorët, si kurrë më parë, ndërhyjnë për të paralajmëruar ndërprerjen e emisionit të "debatit". Dhe kjo ndodh jo për shkak të forcës së argumentit, jo për shkak të shpalosjes së ndonjë scoop-i rrëqethës, por thjesht e vetëm sepse "debatuesit" nuk e lejojnë sho-shoqin të flasë.

Dhe, përgjithësisht pjesëmarrësit nuk është se janë të pashkolluar, nuk është se nuk i dinë teknikat e zhvillimit të një debati. Shumë prej tyre madje vijnë pas një eksperience jo të vogël në të ashtuquajturit "debate club", një kulturë e re kjo për shoqërinë tonë. Po, atëhere përse kjo situatë, përse ky përçudnim i konceptit të debatit, përmes së cilit publiku do të lipsej të dëgjonte argumente, të vlerësonte - "është bërë" e "nuk është bërë", - të gjykonte jo vetëm programet e partive, por edhe kapacitetet e përfaqësuesve të tyre?

Shkaku i parë besoj se duhet kërkuar tek shtabi, pra tek ‘headqurter‘-i (selia) e partisë që i administron tashmë deri edhe listat e pjesëmarrësve nëpër debate. Mjafton të ndjekësh vetëm një debat e ta kuptosh se nga shtabet në fjalë nuk dalin ide dhe teza, nuk përpunohen obsione konkurruese, ndaç në lëmë të politikës, ndaç edhe në atë të qeverisjes, por vetëm slogane. Është e qartë për këdo se, nëse njëri shtab ka dhënë direktivën se vetëm me ata në pushtet do të kemi ende diell, ndërsa nëse në pushtet janë kundërshtarët, Shqipëria do të ketë vetëm natë, të njëtën gjë ka bërë edhe shtabi ‘kundërshtar‘. Mjafton të shohësh se si në themel të fushatizmit, të dyja partitë e mëdha kanë të njëjtën fjalë: Ndryshim. "Është koha për ndryshim", thotë Rama, "Shqipëria po ndryshon", i përgjigjet Berisha. Ne do ju japim viza që të lëvizni lirisht nëpër Evropën e Bashkuar, -thotë Berisha. Vetëm ne mund ta bëjmë, -thotë Rama. Ne do ta bëjmë Shqipërinë universitet, -thotë Berisha. Ne do t‘u heqim TVSH-në universiteteve, -vrapon Rama. Ne do ta antarësojmë Shqipërinë në BE, -thotë Berisha. Ai është politikë e vjetër, -i kundërpërgjigjet Rama, disi i habitur që pikërisht këtij "komunisti", BE ia pranoi kërkesën për anëtarësim.

Mjafton vetëm prekja e këtyre sa më sipër që të kuptosh se opsionet politikë dhe ata të qeverisjes mungojnë totalisht në të dy kampet, paçka se janë shkruar programe edhe me ndihmë ndërkombëtare, sipas parimit një anëtar një çështje, dhe në vend të programeve serioze e të debatueshëm, të dy kampet janë përfshirë në një garë absurde zhufkash, muzike bashkëkohore, fytyrash të rinjsh - përgjithësisht të paguar, - në një garë ku secili thotë: E bëj unë dhe jo ti. Në të vërtetë do të lipsej të thuhej se unë do të bëj këtë gjë, që programi i kundërshtarit nuk e ka. E, në këtë vakuum idesh e programesh, do të shohim ca djem e vajza të reja (me profile skifterësh, përgjithësisht) që nuk reflektojnë asgjë thelbësore, përpos devocionit për shefin përkatës. Edhe më e papranueshme bëhet kjo situatë kur kësaj "teknike" i nënshtrohen me vullnet të plotë edhe ata administratorë, që logjikisht duhet të kenë tjetër sjellje me debatin, sikundër ndodhi para dy netësh në një debat mes dy ndihmësve: atij të ministrit të Brendshëm e të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Arsyeja e dytë e degradimit të konceptit të debatit dhe shndërrimit të tij në një sherr të zhurmshëm, besoj se është fakti se pjesëmarrësit nëpër debate nuk janë të lirë. Ata janë zgjedhur drejtpërsëdrejti nga shefat respektivë thjesht dhe vetëm mbi një kriter: të jenë pjesë e rrethit të besnikëve të tyre personalë. Është kjo arsyeja që i shtyn ata më së shumti t‘u përvidhen argumenteve e t‘u kthehen sloganeve të fushatës, i bën ata të mos kenë individualitet dhe të shkojnë deri aty, saqë edhe të folurën, edhe sintaksën, edhe gjestikulacionin t‘i përafrojnë me ato të shefave të tyre. Përvjedhja apo bishtnimi nga pyetja është një dukuri që sa vjen e po thellohet në raportet mes politikanëve dhe publikut (kupto: medias). Deri para do kohësh Berisha ka qenë kampion për përdorimin e kësaj teknike, aq sa edhe ka mbetur thënia e tij: Ju pyesni për ç‘të doni, unë do të përgjigjem për atë që kam planifikuar. Mirëpo së fundi këtë teknikë të bishtnimit, më së miri po e përdor Rama, i cili pas dështimit në debatin me gazetarë në "Top Story" iu kthye formatit të intervistës, sikundër ndodhi para do ditësh në "Ora News". Qartësisht, ai iu përgjigj me parafabrikate, shpesh pa brendi, pyetjeve të Pezës, përgjigje të llojit kinez: populli pret shumë nga ne, populli vuan dhe unë e di se ç‘kërkon ai, unë nuk di vetëm çmimet e produkteve, por di shumë më shumë se sa kaq… e të tjera si këto. E tillë ishte edhe përgjigja e një përfaqësuesi të Bashkisë dje, në lidhje me një akuzë - elektorale, kuptohet, edhe kjo e fundit, - në lidhje me gjendjen e tregjeve në Tiranë dhe përgjegjësinë e Bashkisë për të. Akuzuesi, ishte pak a shumë përgjigja e nënkryetarit të Bashkisë, paguhet nga familja Berisha… Asgjë për tregjet.

Arsyeja e tretë duket se është edhe më e thellë dhe mbart një të keqe ku e ku më të madhe nga dy arsyet e mësipërme: ajo ka të bëjë me një raport përçmimi me vetë popullin. Shprehjet: "kështu e do ky popull…", "ky popull ka qejf ta mashtrosh…", "ky popull është i pakulturuar…" e të tjera si këto, gjithnjë e më shpesh ndeshen në bisedat mes politikanëve. Që populli shqiptar ka (ashtu si çdo popull) probleme të mendësisë, që këto probleme janë agravuar për shkaqe tashmë të njohur historikë që meritojnë analiza të mëvetësishme, është e vërtetë, por që një politikan t‘i "afrohet" popullit mbi këtë këndvështrim, përbën një problem të madh për atë vetë dhe për politikën tonë në përgjithësi. Dhe është në themel të neverisë së përgjithshme popullore për klasën politike, një neveri që sa vjen e shtohet, gjë që e dëshmon, së pari, etja gjithnjë në rritje për ta lënë këtë vend e për të ikur "nga sytë, këmbët"...

E, këta sherre që përcillen përmes ekraneve, jo vetëm që nuk përmbushin minimumin, pra krijimin e një debati të hapur me publikun në një seancë që, së pari, do të lipsej t‘u shërbente evidentimit të problemeve dhe arritjeve, vetëm se e shtojnë largësinë mes politikës dhe publikut. Ose i kthejnë marrëdhëniet mes tyre në një lojë të pistë, e cila ka tash sa vjet që vazhdon, pavarësisht nëse politika quhet "e re" apo "e vjetër": ma hodhe, ta hodha. Jam i pari, kam kalanë! Sepse këtë dëshirojnë në të vërtetë: të dalin nga bunkerët e partive e të komandojnë si pashallarë Shqipërinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›