Kule: Këtë vit do t‘i zgjedhim vetë studentët
Rregulla të reja konkurrimi i presin maturantët. Për pranimin në universitetin më të madh në vend, atë të Tiranës, do të ketë një sërë ndryshimesh, që synojnë "një sitje të imët". Në një intervistë për gazetën "Shqip", rektori Dhori Kule sqaron gjithë procedurat që duhet të ndjekin të rinjtë konkurrentë këtë vit. Ai i siguron që është hequr përfundimisht koeficienti i llojit të shkollës së mesme. "Ligji na njeh të drejtën e përzgjedhjes së studentëve të viteve të para", tha ai, duke shtuar se "kriteret e reja nuk e cenojnë Maturën Shtetërore, thjesht do të jenë disa modifikime, që synojnë një përzgjedhje korrekte të studentëve. Kujtoj se vjet kemi pasur deformime, siç ishte hyrja te Gjuhët e Huaja e qindra studentëve që nuk dinin asnjë fjalë gjuhë të huaj". Ndaj, këtë vit për këta kandidatë do të ketë një provim shtesë, përveç atyre të maturës. Por, edhe për Fakultetin e Mjekësisë, që është mjaft i kërkuar, nuk mund të lejohet pranimi i studentëve të dobët siç ka ndodhur. Ndaj, në sistemin e përzgjedhjes do të futet nota mesatare, tregon Kule në këtë intervistë. Por, paraprakisht rektori, edhe në emër të profesorëve, ka ngushëlluar gjithë familjet e viktimave dhe personat e tjerë të përfshirë në tragjedinë e Gërdecit.
Keni propozuar disa ndryshime në sistemin e përzgjedhjes së studentëve këtë vit, siç është koeficienti i barabartë për të gjitha shkollat. A janë miratuar ende?
Ato nuk kanë nevojë të miratohen, pasi i ka miratuar ligji. Matura Shtetërore dhe pranimet në universitete janë fenomene jo të lidhura. Matura teston nxënësit e shkollave të mesme në përfundim të vitit të katërt, ndërsa universitetet bëjnë përzgjedhjen e atyre që konkurrojnë për të lartën. Neni 3 dhe 33 i ligjit të arsimit të lartë u jep të drejtën universiteteve të vendosin për studentët që do të marrin, ashtu siç ndodh në çdo vend. Nisur nga ky ligj, senati i Universitetit të Tiranës ka nxjerrë kriteret e pranimit për këtë vit. Ato konsistojnë në marrjen në shkollë të lartë të atyre studentëve që janë të përshtatshëm për atë degë. Matura Shtetërore nuk cenohet si e tillë, ajo është një punë që bën Ministria e Arsimit me shkollat e mesme. Ne kemi punë me përzgjedhjen e studentëve, pasi MASH-i u ka dhënë certifikatën e provimeve të maturës.
A mund të na thoni disa nga kriteret e reja që ka vendosur senati i UT-së?
Fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar që koeficientet e lëndëve me zgjedhje, të jetë 1 (një) për të gjitha shkollat e mesme, përjashtuar Fakultetin e Mjekësisë, i cili ka përcaktuar koeficientin sipas shkollave të mesme. Po ky fakultet propozon që studentët e tij të kenë notë mesatare 8.5 e lart në katër provimet e maturës. Ndërsa Fakulteti i Gjuhëve të Huaja propozon që kandidatët për studentë të kenë notë mesatare të katër viteve mbi 8. Kandidatët në programin e studimit në gjuhën angleze dhe në programin e studimit në gjuhën frënge duhet të japin si lëndë me zgjedhje respektivisht gjuhën angleze dhe gjuhën frënge, ku duhet të jetë niveli B sipas Kuadrit Evropian të Referencës. Për degët e tjera si Gjermanisht, Italisht etj., kandidatët duhet të bëjnë një provim shtesë vetëm për gjuhën, pasi të kenë dhënë provimet e maturës dhe pranohen vetëm kandidatët që kapin nivelin B të gjuhës, sipas Kuadrit Evropian të Referencës.
Ndërsa Fakulteti Ekonomik kërkon që lënda e matematikës, e cila është lëndë e detyruar, të ketë koeficientin 1.3 në ndryshim nga letërsia, që e ka 1.1.
Si do të aplikohen këto ndryshime, pasi Matura deri tani ka qenë e njëjtë për çdo universitet. Nuk do ta pranoni më?
UT-ja është e interesuar të zgjedhë studentët më të mirë nga kontingjenti i maturantëve dhe kërkon të mos ketë deformime, siç ndodhi vitin e kaluar, që shkonin për Gjermanisht apo Frëngjisht student që nuk dinin asnjë fjalë nga këto gjuhë. Propozimet ndryshojnë për të shmangur pikërisht këto deformime. Natyrisht, ato do ta ndryshojnë sistemin e pranimit po ta krahasosh me një vit më parë, por ndërhyrjet do të bëhen nga MASH-i në programin kompjuterik që ajo ka për Maturën. Ne do të na vijnë listat e gatshme me emrat e fituesve, por ato do të kenë të reflektuara edhe propozimet tona. Kur të bëhet renditja do të merret parasysh se Ekonomiku e ka koeficientin e lëndës së matematikës të ndryshëm nga të Letërsisë. Apo do të merret parasysh se studentët e Mjekësisë duhet ta kenë mbi 8.5 notën e lëndëve me zgjedhje.
Keni zhvilluar për herë të parë mbledhjen e senatit në qytetin e Sarandës, ku UT-ja ka një filial. Cili ishte motivi dhe çfarë vendimesh u morën atje?
Në fakt, ishte një takim krejt i veçantë në filialin e Universitetit të Sarandës. Qëllimi i parë ishte njohja e senatorëve nga afër me shkollën tonë në jug të vendit. Gjithashtu, u morën edhe një sërë vendimesh mjaft të rëndësishme.
Paraprakisht mund të them se atje është bërë një punë e lavdërueshme nga pushteti lokal, siç është dhënia e bonuseve për profesorët dhe akomodimi i studentëve nga qytetet e tjera. Ndaj falënderoj kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë në Sarandë dhe Kukës. Për sa u përket vendimeve që mori senati, mund të them se këtë vit është vendosur të çelet dega e Anglishtes në Sarandë dhe Kukës me nga 25 studentë për secilin filial. Gjithashtu u vendos të shtohen kuotat për trojet, ku numri më i madh i tyre do të përqendrohet në Kukës. Ky filial ka këtë vit 60 kuota për infermierë, 100 për ekonomik dhe 25 anglisht. Një vendim tjetër mjaft i rëndësishëm është miratimi i ciklit studimor të Bolonjës 3+2 për Fakultetin e Shkencave Sociale dhe për atë të Gjuhëve të Huaja. I është dhënë zgjidhje edhe problemit të shkencave politike. Siç mund të kujtoni, studentët kanë protestuar vjet më parë, ndaj senati vendosi çeljen e departamentit të shkencave politike, i cili ishte një seksion në Fakultetin e Shkencave Sociale. Janë plotësuar kushtet ligjore, departamenti ka numrin e duhur të pedagogëve, pra do të dalë këtë vit diploma e drejtpërdrejtë për Shkenca Politike.
Po për mësimin e gjuhës së huaj në fakultete ç‘mund të thoni, pasi është një kurs fiktiv?
Po, është e vërtet. Pedagogët e gjuhëve të huaja në të gjitha fakultetet nuk kanë bërë aq sa duhet, edhe për faktin se studentët futeshin sipas dëshirës, ndaj kishte disnivele mes tyre. Ka një kërkesë deklarata e Bolonjës për nivelin e dhënies së gjuhës së huaj në fakultete. Bazuar në të, senati vendosi që të testohen të gjithë maturantët që fillojnë vitet e para, nisur që nga ky vit. Ata do të testohen për të parë se në ç‘nivel e njohin gjuhën e huaj që kërkojnë të studiojnë në fakultete. Pas këtij testimi bëhet ndarja. Ata që kanë nevojë të ndjekin mësimin duhet ta bëjnë, të tjerët mund të zgjedhin një gjuhë tjetër, pasi të marrin një certifikatë, që quhet certifikata ndërkombëtare e gjuhës së huaj. Kjo u jep mundësi të gjithë studentëve, të gjitha fakulteteve që të mos qëndrojnë në mënyrë pasive në klasë, kur e dinë gjuhën e huaj. Ata, ose duhet të regjistrohen në kurs tjetër gjuhe, ose të ndjekin nivelin e dytë të gjuhës që njohin. Vendim tjetër është hapja e gjuhës spanjolle pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ka pasur mjaft kërkesa, pasi në shkollat mesme kjo degë është, por ka pasur një interesin nga ana e ambasadorit të Spanjës në vendin tonë. Ai është shumë i interesuar për hapjen e kësaj dege dhe ka premtuar mbështetje për specializimin e stafeve akademike. Ambasadori ka marrë edhe mbështetjen e Kryeministrit për çeljen e kësaj dege, duke pasur parasysh se 30 për qind e rruzullit tokësor flet gjuhën spanjolle.