Mblidhet Këshilli i Administrimit të UT-së
U është hapur rrugë investimeve në Universitetin e Tiranës. Pas debateve të shumta për emrat e anëtareve është konstituar Këshilli i Administrimit i Universitetit të Tiranës. Rektori i UT-së, Dhori Kule, bëri të ditur për "Shqip" emrat e anëtarëve dhe u shpreh se do të bashkëpunojë me këtë strukturë për realizimin e investimeve dhe punëve të tjera të përbashkëta. "Është krijuar këshilli me kryetar Ilia Kriston dhe 8 përfaqësues të tjerë nga fakultetet. Po kështu, janë caktuar edhe 8 anëtarët e jashtëm, që fatmirësisht janë personalitete, si zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, dhe prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keci", kështu u shpreh rektori Kule. Universiteti i ka vënë në dispozicionin këshillit projektbuxhetin për këtë vit dhe pritet që sot këshilli të mblidhet dhe të vendosë për të. "Buxheti do të diskutohet dhe do të miratohet nga ata. Unë jam në kontakt që të miratohet së shpejti që të nisim nga puna", shtoi rektori. Paraprakisht ai sqaroi se buxheti është konceptuar ndryshe këtë vit, duke mos iu kushtuar rëndësi ndërtimeve, por investimeve në burimeve njerëzore dhe shpenzime koherente. "Ne nuk jemi ndërmarrje ndërtimi që të vendosim për tulla e llaç, por jemi universitete, kështu duhet të vendosim për konferenca shkencore, pedagogët etj.", shpreh Kule.
Propozimet e bëra nga senati i UT-së për planin e investimeve pritet të diskutohen nga anëtarët e këshillit, të cilët kanë edhe tagrin e miratimit të tij. Në bazë të ligjit, ai mbikëqyr e kontrollon veprimtaritë e institucionit të arsimit të lartë, që lidhen me menaxhimin administrativ, financiar, ekonomik dhe të pronave të tij. Në pikën e dytë të ligjit shkruhet se funksionet e këshillit janë: Miraton kriteret për ndarjen e burimeve financiare; miraton, me kërkesën e senatit akademik, projektbuxhetin e institucionit me dy të tretat e votave; vlerëson efikasitetin e përdorimit të fondeve nga buxheti i shtetit ose burime të tjera të ligjshme dhe publikon rezultatet e vlerësimit; miraton raportin vjetor financiar të paraqitur nga rektorati. Një pikë tjetër e rëndësishme e ligjit është ajo që sanksionon se kush janë anëtarë të këtij këshilli. Për UT-në, lista me emrat tregon se ata janë personalitete në fushat ku punojnë.
Emrat e anëtarëve të Këshillit të Administrimit të UT-së:
Nga fakultetet
Ilia Kristo Ekonomiku
Ali Refatllari Mjekësia
Zoi Topi Gjuhë të Huaja
Persida Asllani Filologjiku
Zyri Bajrami Sh.Natyrore
Milika Dhamo Shk. Sociale
Tatjana Nurka Infermieria
Vasilika Hysi Drejtësia
Shkëlzen Elezaj Student
Të jashtëm:
Sheferedin Shehu zv/ministër i Financave
Ruzhdi Keçi Prefekt i Tiranës
Leka Xhuvani Universiteti Politekniku
Florian Nurce Ministria e Arsimit
Rudin Baqli Ministria e Arsimit
Gjergji Gjinko Ministria e Arsimit
Elida Hoxha Ministria e Arsimit
Artan Hoxha Instituti Studimeve Bashkëkohore