E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule zgjidhet kreu i Rrjetit të Universiteteve të Ballkanit

Zhvillimet e kongresit

Mbahet në Erdene Kongresi i Rrjetit të Universiteteve Ballkanike. Për herë të parë kryetari zgjidhet nga Shqipëria. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, u zgjodh të premten kryetar i Rrjetit të Universiteteve Ballkanike, gjatë kongresit të dytë të rrjetit të mbajtur në Erdene të Turqisë. Kule do të shërbejë si kryetar i dytë i Rrjetit, pas rektorit të Universitetit të Erdenesë, mandati i së cilit përfundoi përpara pak ditësh. “Ky është një nder për Universitetin e Tiranës dhe për vendin tonë”, theksoi rektori Kule. “Rrjeti i Universiteteve të Ballkanit është një institucion i rëndësishëm që ka të gjitha mundësitë për të rritur kapacitetet dhe mundësitë e universiteteve të rajonit tonë nëpërmjet bashkëpunimit shumëpalësh”. Gjatë Kongresit të Rrjetit të Universiteteve Ballkanike u bisedua në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve të rajonit. Me një klimë pozitive, të gjithë rektorët e universiteteve ballkanike, të pranishëm në këtë kongres, theksuan nevojën e një bashkëpunimi më të thellë dhe më cilësor ndërmjet universiteteve të rajonit. Pas përfundimit të bisedimeve u hodh në votim kryetari i Rrjetit, i cili rezultoi rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Rrjeti i Universiteteve të Ballkanit është një nismë e rektorëve të universiteteve nga shtatë vende të rajonit, të cilët në vitin 2006 nënshkruan marrëveshjen për ngritjen e një rrjeti të përbashkët që do të ndihmonte në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›