Stomatologjia dhe Farmacia, fakultete në Universitetin e Mjekësisë
Departamenti i Stomatologjisë, si dhe i Farmacisë, do të jenë dy fakultete më vete. Ndërkohë që në planet afatgjata pritet që Fakulteti i Mjekësisë të kthehet në Universitet të Mjekësisë, institucion që do të ketë nën “hyqëm” fakultetet e tjera, si Infermierinë, Stomatologjinë, Farmacinë. Dje në mbledhjen e Task-Forcës së shëndetësisë është kërkuar që të merren iniciativat e nevojshme ligjore për të kryer “spostimin” e departamentit të stomatologjisë dhe farmacisë në fakultetet respektive.
Ndërkohë që vetë Kryeministri ka kërkuar që të promovohen mjekët e rinj si dhe t’u jepet mundësia dhe hapësira e nevojshme për t’u punësuar dhe konkurruar. Një vend me rëndësi në diskutimet në takimin e Task-Forcës iu kushtua çështjes së Universitetit Mjekësor, e për të bërë hapat e duhur e të matur në këtë drejtim, Kryeministri u kërkoi ministrave të linjës dhe dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të punojnë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për kalimin e departamenteve të stomatologjisë dhe farmacisë në fakultetet respektive, si dhe kërkoi t`i krijohet hapësira e duhur punësimit dhe konkurrimit të mjekëve të rinj e të talentuar, me kontribute e aktivitete të shprehura shkencore.
Një nga çështjet që Task-Forca shqyrtoi me vëmendje të veçantë ishte dhe informatizimi i shërbimit spitalor dhe atij farmaceutik. Kryeministri theksoi në mbledhje se korrupsioni duhet të luftohet në çdo hap e çdo procedurë; se publikut duhet t`i bëhen transparente problemet e masat e ndërmarra, si dhe të tregohet një vëmendje e veçantë për informatizimin e shërbimit spitalor e farmaceutik, si mekanizma shumë të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin e çuar përpara sistemin shëndetësor.
“Injeksionet” për luftën e korrupsionin.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, referoi për masat e marra deri më tani nga ministria për këtë qëllim, siç janë sistemi i referencës dhe minimizimi i kontakteve informale ndërmjet mjekut e pacientit. Gjithashtu, Vasili renditi të gjitha urdhrat “anti-korrupsion”: për afishimin transparent të tarifave dhe orareve të shërbimeve; për barnat të cilat mungojnë në spitale dhe mënyrën si autorizohet blerja e tyre nga pacienti.
Kreu i Shëndetësisë sqaroi se ka lëshuar urdhrin për komunikimin etik me pacientin dhe familjarët, urdhrin për hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve, urdhrin për ngritjen e grupit të punës për kostifikimin e shërbimeve.
TakimiKryeministri kërkoi që të marrë fund problemi i mungesës së barnave në spitale, i mosfunksionimit të aparaturave apo mosbërjes së analizave e ekzaminimeve të ndryshme në shërbimin publik shëndetësor, i sorollatjes së pacientëve me qëllim përfitimi, i trajtimit jo etik të pacientëve e familjarëve.
Sipas kreut të qeverisë, shëndetësia duhet të marrë masa konkrete që publikut t`i bëhen transparente problemet e masat e ndërmarra. Berisha kërkoi të bëhen ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që çdo hallkë e sistemit t`u shërbejë sa më mirë e shpejt pacientëve, që qytetarët shqiptarë të marrin shërbimin shëndetësor që ata meritojnë.
#