Rooney, më i dobishëm se Messi

Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, ka bërë të ditur se më me dëshirë do ta kishte në ekip Wayne Rooneyn sesa Lionel Messin.
Ylli i Barcelonës konsiderohet si futbollisti më i mirë në botë, por Ancelotti mendon ndryshe. Strategu i gjigantit londinez ndien se Rooney i ofron më tepër ekipit dhe nëse do të kishte pasur mundësi të zgjedhë, do të përcaktohej për sulmuesin e Manchester Unitedit.
“Të gjithë thonë për Messin, por unë do të merrja Rooneyn. Messi është jashtë kësaj bote dhe ndoshta është duke arritur nivelin e Maradonës. Mirëpo, Rooney është më afër realitetit të futbollit. Ai e ndan talentin e tij me pjesën tjetër të ekipit dhe kjo shpjegon dallimin mes futbollistëve dhe futbollistëve të jashtëzakonshëm”, tha Ancelotti për Sky Sports News.
Ancelotti do të vihet kundër Rooneyt të dielën, derisa Chelsea takohet me Manchester Unitedin në Old Trafford. Ai ka insistuar se nuk do të përgatitë taktikë të veçantë për të ndalur Rooneyn.
“Ne duam të luajmë lojën tonë. Rooney është futbollist kryesor për Manchester Unitedin, por herën e kaluar kundër nesh Ryan Giggs ishte futbollisti më i mirë. Ai pasoi tre topa dhe ata shënuan tre gola”, përfundoi Ancelotti.