E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulla e Sahatit dhe shenjat e para të bukurisë

Refleksione


Si çdo qytet i mirëfilltë, edhe Tirana mbante në gji jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen e vet. Shenjat e kësaj të ardhmeje ishin doemos të shifruara në mënyrë të tillë që vetëm ne, nga lartësitë e së sotmes, mund t'i shquajmë e t'i zbërthejmë, po kush mund të pretendojë vallë se nuk i ndiem që atëherë, të paktën në pavetëdijë?


Te farsa masive e funeralit të Enver Hoxhës a nuk fshihej vallë karnevali që do t'ia rrëzonte statujën në dimër të 1991-shit? Po kështu, boshatisja e ngjethshme e qendrës nga dyqanet dhe baret a nuk parathoshte harlisjen e kioskave dhe të tregtisë mikroskopike, gjatë intermexos post-komuniste?


Asepsia e hoteleve të qendrës a nuk do të mund të interpretohej si parathënëse e maskarallëkut që do të shpërthente haptazi, gjatë tranzicionit? Qytet i ekstremeve, Tirana do të lëvirrej marramendësh mes mungesës totale dhe teprisë të të gjitha atyre atributeve që, në rrethana normale, qytetet kujdesen t'i mbajnë në ekuilibër, në përpjesëtim, në masë.


Dhe meqë çdo lavjerrës, sado hergjele, e parakupton një pikë të palëvizshme, e cila bën të mundur luhatjen vetë, por edhe perceptimin e saj, shpjegimin dhe parashikimin e saj, atëherë çfarë mund ta luante këtë rol, përtej emrit të qytetit dhe plakjes së banorëve vetë, përveç Kullës së Sahatit?


Por pati një tipar të së ardhmes që, edhe pse shpesh mbeti i varur si premtim dhe shpresë, ndoshta përfaqëson zhvillimin më interesant të pleqërisë së Tiranës komuniste. Sepse unë Kullën vetë nuk mund ta përfytyroj veçse si gjithnjë të vëmendshme për të dalluar, në mes të kaosit, përsëritjes, mutacionit të verbër dhe shëmtimit, shenjat e para të bukurisë që Tirana mund dhe duhej të sekretonte, për vetveten, Shqipërinë dhe botën.

Dhe kjo jo për hir të ndonjë estetizmi të shplarë, por ngaqë, mes shumë faktorëve që ia shpejtuan fundin totalitarizmit komunist në Shqipëri, rishfaqja e bukurisë njerëzore në jetën kryeqytetase ishte doemos një nga kryesorët, në mos vendimtarët.


Në vitet 80, në mes të mjerimit material, frustracionit dhe degradimit të përgjithshëm, asgjë nuk mund t'i shprehte në mënyrë më elokuente trajtat botore të kësaj bukurie dhe sfidën e kësaj ndaj regjimit, sesa dalja në skenën sociale e gruas tiranase të emancipuar, që dalëngadalë po e merrte në dorë jetën e vet, përtej çdo raporti jetërsimi në të cilin shteti, komuniteti dhe familja e kishin detyruar të futej.


Ky lulëzim i papritur i gruas nuk ishte parashikuar nga shteti, por as nga armiqtë e tij; vetë gruaja do të rrënonte establishmentin komunist me nevojat e saj materiale dhe shpirtërore sa të përcaktuara, aq edhe enigmatike për burrin; frymën etike të veçantë me të cilën do të depërtonte në institucionet; me pozicionin e saj jotipik përkundrejt pushtetit politik. Kjo nuk ishte një goditje ballazi, por në ijë, në brinjë, krahëve.


E paimplikuar drejtpërdrejt në ushtrimin e dhunës politike dhe morale nga ana e shtetit totalitar, por drejtpërdrejt e prekur nga privacionet e rënda materiale dhe nga diskriminimi social e familiar, gruaja tiranase do t'i minonte vlerat zyrtare ekzistuese, duke u treguar zhdërvjelltësisht e aftë në perceptimin e absurditetit të tyre.


Totalitarizmi shqiptar ishte një totalitarizëm meshkujsh kundër meshkujve, në kuptimin që shtypja e gruas zakonisht i ishte besuar institucionit tradicional të familjes.


Por varfëria rrënjësore e familjes, dhe pasojat afatgjata të revolucionit antipatriarkal të viteve 66-70, në përgjithësi e kishin nxjerrë gruan përtej pragut të shtëpisë, pa sjellë kjo ndonjë komprometim të ndjeshëm të gruas vetë me pushtetin, i cili mbeti deri në fund në duar ekskluzivisht burrash.


Nga ana tjetër, shkatërrimi i nyjtimeve të natyrshme të jetës qytetëse, në Tiranë më shumë se gjetkë, e nxori gruan në rrugë, në sytë e të gjithëve, duke ia rritur dukshmërinë dhe duke e përfushur ndaj të gjitha privilegjeve dhe rreziqeve që sillte me vete dalja në skenë, prania botore, marrja në dorë e vetvetes.


Elemente të caktuara të kulturës femërore, shpesh kontradiktore, depërtuan në të gjitha sferat ku riprodhohej struktura ekzistuese e shoqërisë shqiptare, të tilla si bashkëjetesa e sensit estetik dhe vanitetit; dashuria për komfortin dhe luksin; përpjekja për një përsosmëri estetike në pamje dhe në ecje; kujdesi për detajin intim; vëmendja ndaj luleve, fëmijëve, ngjyrave; moderacioni; këmbëngulja e heshtur; të qenit esëll dhe meskiniteti; kërkesa për liri blerjeje dhe obsesioni me mallin; kulti i individualitetit dhe narcisizmi; refuzimi total i dhunës si instrument për zgjidhjen e konflikteve dhe cektësia e perceptimit të këtyre konflikteve.


Nëse është e vërtetë që gruaja shqiptare, si faktor social imediat, nuk luajti ndonjë rol vendimtar në shembjen e komunizmit në Shqipëri, është po kaq e vërtetë që shumë nga ata që morën në sy të sfidonin Autoritetin komunist - në politikë, në etikë, në ekonomi - kishin kaluar paraprakisht, si individë, në tranzicionin që ua kishin imponuar motrat, gratë, vajzat dhe të dashurat e tyre.


Titulli redaksional
Marrë nga eseja "Kulla e sahatit" Botimet "K&B"


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›