Shtyhet seanca, i akuzuari kërcënon prokurorin
Policia arrestoi autorin e kërcënimit që gjykohej në gjendje të lirë për vrasjen aksidentale të një fëmije
TIRANË - Familjarët e një të akuzuari për vrasje aksidentale kërcënojnë prokurorin, ndërsa policia ndalon të dyshuarin menjëherë pas kërkesës së Gjykatës.
Ngjarja në ambientet e Dhomës Penale të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku dy vëllezër po gjykohen me akuzën e vrasjes aksidentale të një fëmije të mitur, pas një konflikti në lagjen "Ali Demi", ndodhur në muajin mars të këtij viti.
Policia ka ndaluar Bexhet Voglin 33 vjeç, i cili po gjykohej në masën e arrestit të shtëpisë, bashkë me të vëllanë, Sali Vogli, që ndodhet i izoluar në qeli. Shkak për ndalimin e Bexhet Voglit nga Policia është bërë fjalia kërcënuese e lëshuar nga ky i fundit në drejtim të prokurorëve Gjon Kodra e Etjen Kapo, në kohën që prokurori Kodra po komunikonte me Gjykatën.
Shkak i reagimit të të arrestuarit, mësohet se është bërë shtyrja e procesit gjyqësor, për shkak të mosparaqitjes në seancë të familjarëve të fëmijës së vrarë aksidentalisht nga shkelja me këmbë prej vëllezërve të akuzuar në një sherr masiv në lagjen "Ali Demi".
"Çfarë drejtësie jeni ju, duhet me ju shkri të gjithëve sepse po zvarritet gjyqi dhe nuk po jepet drejtësia. Kjo nuk është drejtësi...",- ky mësohet të ketë qenë kërcënimi i të arrestuarit drejtuar prokurorëve. Menjëherë pas kësaj fjalie gjyqtari, Martin Deda, urdhëroi efektivët e policisë të ndalonin autorin e tekstit.
Sipas Prokurorisë, dy vëllezërit Bexhet e Sali Vogli, gjykohen për veprën penale të "vrasjes nga pakujdesia" të djalit 3 - vjeçar me inicialet K.S. dhe "dhunimit të banesës" së shtetasit Ilir Faslliu. Dy vëllezërit Vogli dhe shtetasi Ilir Faslliu, fqinjë mes tyre, janë grindur pasi ecnin me shpejtësi me autoveturën e tyre "Mercedes - Benz", duke i sjellë shqetësime Faslliut.
Mesditën e 12 marsit, në kohën që vëllezërit Vogli po kalonin me makinën e tyre me shpejtësi në rrugën e lagjes "Ali Demi", Faslliu ua ka prerë rrugën atyre, duke shkëmbyer fjalë fyese me fqinjin.
Dy të rinjtë, përkatësisht Bexhet dhe Sali Vogli, në sherr e sipër kanë hyrë në ambientet e shtëpisë së Faslliut duke u grindur, ndërkohë që në rrugë kishin shkelur me këmbë një fëmijë të moshës 3 vjeç që ka mbetur i vdekur.
Pas evidentimit të këtij fakti, dy vëllezërit Vogli janë arrestuar nga policia dhe tashmë pritet të gjykohen për krimin kryer, të "vrasjes nga pakujdesia" të fëmijës 3 vjeç dhe "dhunimit të banesës" së fqinjit.