PS, Bushati: Qeveria pa strategji për vizat
TIRANË- Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, ka akuzuar qeverinë për mospërmbushje të standardeve për lëvizjen e shqiptarëve pa viza brenda Bashkimit Evropian. Gjatë një deklarate për shtyp, në emër të Partisë Socialiste, Bushati shpreh vlerësimin për qëndrimin e Parlamentit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Diskutimet e këtyre ditëve ndërmjet institucioneve të BE-së, përkatësisht Komisionit Evropian, Këshillit dhe Parlamentit Evropian, po evidentojnë edhe një herë tjetër para opinionit publik faktin se qeveria ka dështuar në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me heqjen e regjimit të vizave, duke dëshmuar për fat të keq se Shqipëria do të jetë vendi i fundit në rajon që do të mund të përfitojë nga heqja e regjimit të vizave"- tha Bushati. Gjithashtu, ai thekson se qeveria vazhdon të jetë e papërgjegjshme, duke dhënë shumë pak shpjegime për procesin e liberalizimit të vizave para opinionit publik.
"Qeveria nuk mund të fshehë dështimet e saj para shqiptarëve, duke u përqendruar në retorikë, duke akuzuar opozitën padrejtësisht pasi beteja jonë për votën dhe protestat popullore në mbrojte të saj janë një vlerë e shtuar për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit."- vijoi deputeti socialist.
Sipas Bushatit, Shqipëria do të jetë vendi i fundit në rajon që do të mund të përfitojë nga heqja e regjimit të vizave, nëse ekzekutivi do të vazhdojë të fshehë dështimet e tij. Në të njëjtën kohë, Partia Socialiste i ka kërkuar qeverisë hartimin e një strategjie me plane konkrete veprimi.