Kulluri: “Federata” e Mediut, ‘hajde në dasmë, se nusen ta tregojmë rrugës!’

Edvin Kulluri, sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike që drejtohet nga Lulzim Basha ka deklaruar se iniciativa politike e partive të vogla opozitare për të krijuar një konfederatë politike është jo funksionale.
Sipas Kullurit, ideja e kryerepublikanit Fatmir Mediu është pa asnjë efekt politik pasi sipas tij, Mediu nuk tregon që në krye të këtij aksioni politik qëndron vetë ish-kryeministri Sali Berisha.
Kulluri vuri në dukje se nuk mund të ketë bashkim të opozitës pa largimin e ish-kryeministrit Berisha dhe që ai të mos ketë ambicie për të qenë kandidat për kryeministër.
“Ajo që thotë z. Mediu ta themi pak në mënyrë folklorike; Hajde në dasmë, se do të martohesh por nusen ta tregojmë rrugës. Këtu ka një problem. Nëse nis një projekt politik të përbashkët edhe sindikatat që ishin të frymëzuara nga Internacionalja Socialiste nuk funksionuan me drejtim kolegjial.
Asnjë organizatë e përbërë nga njerëz nuk funksionon në mënyrë kolegjiale por funksion në mënyrë hierarkike. Nuk po them të mos ketë votë, demokraci, marrëveshje… kjo është tjetër gjë. Po të dëgjosh artikulimin e z. Berisha që PD-ja është këtu, ata nuk ekzistojnë, për këdo që nuk rri te karrigia e Sali Berishës.
Nëse ne do të bashkohemi në një front opozitar, apo siç e kanë quajtur këta në Federatë, puna është që ti do dalësh me një kandidat për kryeministër. Nuk mund të shkosh në zgjedhje sepse kush do ta drejtojë fushatën. Mediu nuk e thotë dot këtë sepse Sali Berisha sot që flasim nuk pranon që të jetë dikush tjetër”, u shpreh Kulluri.
/rtsh.al/