E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama takim me ambasadorin britanik, diskutime mbi Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit e emigrimin

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ambasadorin britanik, Alastair King-Smith këtë të hënë (19 shkurt). Lajmi bëhet me dije nga Ambasada Britanike, përmes një postimi në Facebook, ku shkruhet se ambasadori britanik ka theksuar partneritetin e palëkundur mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Çështjet që janë diskutuar mes Ramës dhe King-Smith kanë qenë Reforma në Drejtësi e lufta kundër korrupsionit, për të cilat, sipas ambasadës, Mbretëria e Bashkuar ofron mbështetje të re.

Po ashtu, ata janë dakordësuar edhe për zgjerimin e partneritetit tregtar mes dy vendeve, si edhe në fushën e Mbrojtjes.

“Ambasadori britanik, Alastair King-Smith, u takua sot me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama  për të theksuar partneritetin e palëkundur mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë emigracionin e paligjshëm, ku Shqipëria mbetet një prej partnerëve tanë më të rëndësishëm në rang ndërkombëtar.

Ata diskutuan mbështetjen e re të Mbretërisë së Bashkuar për Reformën e Drejtësisë dhe përpjekjet kundër korrupsionit, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar. Ata ranë gjithashtu dakord të vlerësojnë zgjerimin e partneritetit tregtar, si edhe në fushën e Mbrojtjes”, shkruhet në postimi e Ambasadës Britanike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›