E Diel, 1 Nëntor 2026

Kulluri i pergjigjet Balles MM as nuk jep dhe as nuk privatizon prona

Ministria e Mbrojtjes është kundërpërgjigjur edhe sot deklaratave të deputetit socialist Taulant Balla lidhur me privatizimin e ish-klubit “Partizani” dhe procesit të privatizimit të pronave në tërësi. Në një deklaratë për mediat sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Edvin Kulluri i quajti ato shpifje dhe dizinformin, ndërkohë që sqaroi se:

“Përgatitja e dosjeve me dokumentacionin për çdo pronë bëhet nga Komisionet e Vlerësimit të Pronës, që ngrihen me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Këto komisione rast pas rasti bëjnë vlerësimin e pronës dhe pas konfirmimeve nga organet përkatëse AKPP, ZRPP, si dhe në Prefekturën e Qarkut, dërgojnë dosjet pranë Ministrisë së Financave për të vazhduar më tej procedurat e shitjes së pronës publike. As ministri Imami dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk u japin prona ish-pronarëve. E aq më tepër që Ministria e Mbrojtjes nuk është administratore e komplekseve të tjera sportive, që z. Balla përmend në mënyrë të pakuptimtë në deklaratën e tij.”

Sipas tij privatizimi i pronës në fjalë, është miratuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës që më datën 19.09.2007, nga ku është kërkuar dhe përgatitja e dokumentacionit të privatizimit në zbatim të VKM-së Nr.704, datë 11.10.2006
"Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet, si dhe për proçedurën e shitjes " dhe të VKM-së Nr.703, datë 11.10.2006 "Për kriteret dhe procedurat e shitjes së trojeve të ndërrmarjeve shtetërore apo të objekteve të veçuara, që i nënshtrohen privatizimit ose transformimit të tyre në shoqëri tregtare". Në vijim shpallja për shitje të objekteve të sipërpërmendura është bërë me datë 18.08.2008, ndërkohë që kontrata e shitjes mes Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesve të gjashtë familjeve të ish-pronarëve të trojeve të ish- klubit sportiv “Partizani” është lidhur më datë 21.10.2009”
Ndërsa i quajti akuzat e Ballës të papërgjegjshme, Kulluri informoi se deri më sot nga Ministria e Financave rezulton se ish-pronarë të ndryshëm kanë përfituar me të drejtën e parablerjes edhe prona të tjera nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes si vijon:
Prona nr. 400 – "Ish- hoteli i ushtarakëve", Velipojë,
Prona nr. 235 - "Ish-Batalioni Zbulimit ", Maminas, Tiranë,
Prona nr. 867 - "Batalion Tankesh", Ardenicë, Lushnje,
Prona nr. 230 - "Ish-NPVU ", Durrës,
Prona nr. 785 - "Batalioni Tankeve", Droje, Laç,
Prona nr. 976 - "Bateri ABD ", Shengjin,
Prona nr. 16 - "Shtabi i Repartit nr. 3350", Selitë e Vogël, Tiranë,
Prona nr. 72 - "ish-sh.a Elektronike", Tiranë,
Prona nr. 74 - "ish-sh.a Autorepart", Tiranë,
Prona nr. 268 - "ish-shtabi i Rep.Usht.nr. 9940", Elbasan,

Sipas tij janë dhe 15 prona të tjera në proces shitjeje pranë Ministrisë së Financave.
“Shpresojmë që këto sqarime të ndihmojnë sado pak deputetin Balla që t’i largohet shpifjeve dhe sajesave në adresë të ministrit të Mbrojtjes dhe institucionit që ai drejton”- përfundoi deklarata e Minsitrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›