E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kulmi i kultit të individit

Në asnjë fushatë tjetër të kohës së pluralizmit, madje ndërdyshem të them se as në monizëm nuk ka qenë kaq gjithëpërfshirës, shpërthyes, arrogant, prepotent, dmth kaq trysnibërës e trushpëlarës i ashtuquajturi “kult i individit”, kjo qasje e neveritshme dhe poshtëronjëse e krerëve narcisë e delirantë të diktaturës ndaj bashkëkohësisë, ndaj popullit, ndaj qytetarëve dhe sidomos ndaj mediave e historisë, sa është sot.
Ky “krahasim me të pakrahasueshmen” ndoshta buron ngaqë në kohën e diktaturës televizioni (RTSH), ashtu si partia-shtet, ishte një i vetëm, mjaft i kufizuar në shtrirje, ndërsa rrjetet sociale të internetit nuk ekzistonin. Por edhe se, për hir të së vërtetës, “udhëheqësi legjendar i partisë dhe i shtetit”, i cili, po t’ia donte qejfi,  mund ta mbante ekranin e RTSH-së 24 për 24 orë me fytyrën dhe zërin e vet,  shfaqej për 1 maj, në plenume dhe në kongrese partie...Kurse sot nuk ka arkivist dhe kompjuter që mund të llogarisë se sa janë në këto 23 vjet orët e kronikave dhe debateve me fytyrën, me ojnat, me sharjet, batutat dhe zërin e kryeministrit aktual!
E pra, si shpjegohet kjo grykësi televizive për të sunduar ekranet dhe kronikat televizive me vetveten? Është dëshirë kjo, apo nevojë për të kultivuar kultin e individit, këtë mjet që besohet se mund ta çimentojë përjetësisht liderin në histori?
***
Kurrkush nuk e pat përfytyruar e besuar asokohe, kur njerëzit thërrisnin shesheve  ”Liri-demokraci!”, se kulti i individit, i mallkuar aq së tepërmi nga liridashësit,  edhe pas zhvillimeve demokratike dhe përhapjes së teknologjisë elektronike, pas hapjes së syve e të mendjes të njeriut rural, ky mikrob me gen prej skllavi (adhurim ose i detyruar, ose i mëkuar me propagandë intensive për meritat dhe lavdinë e “udhëheqësit historik”!) nuk do të kishte ngordhur as pas gati një çerek shekulli në/me demokraci, as pas tetë dekadash që nga koha e kulmit të kultit të individit të Stalinit dhe të Hitlerit, as pas tri ose katër dhjetëvjeçarëve të Hoxhës. Nuk ka ndonjë ndryshim të njëmendtë vallja solo e Hoxhës nga vallja dyshe Berisha-Rama; këtë, besoj, e pranojnë edhe folkloristët, edhe politologët e sotëm. E megjithatë kurrkush ndër ta nuk e shtron pyetjen: Si është e mundur që shfaqja më e shëmtuar dhe më e padurueshme e diktaturës të gjallojë, të ringjallet e të mbivendoset, si një pandemi mbarëkombëtare edhe mbi fytyrën e brishtë të sistemit demokratik?
***
Nuk është e vështirë të pikaset se karakteristika më thelbësore e fushatës së 2013-ës është pikërisht kjo risi: Kulti i individit ka shpërthyer e mbërritur kësaj here në një kulm të paparë e të pashembullt! Ekranet janë pasqyrë e neveritshme e këtij vetëpëlqimi që duket sikur thërret: Ngjallu, or babë, të më shohësh sa i madh dhe sa i rëndësishëm jam bërë! Edhe topmodelet do ta kishin thyer këtë “pasqyrë” kaq të shpërdoruar...Një nga hamendjet përse Merilin Monro vrau veten është se atë e persekutonte përndjekja e kamerave; ndërsa krerët tanë zihen e hakaten si e si të shfaqen sa më shumë nëpër ekrane! Kush del më shumë, kush e ngul veten më tepër nëpër ekrane dhe gazeta, ai kujton se do ta ketë të fituar davanë! Ju duket vetja aq bukuranë e mënçuranë, të dashur e të domosdoshëm, sa populli, meqë vlerësohet prej tyre si një enë bosh, nuk fle dot e nuk do të gjejë derman pa i parë dhe pa i dëgjuar zërat e tyre!
Nëse krerët ballkanikë e kultivojnë kultin e individit qëllimisht, për të siguruar e garantuar medemek përjetësinë, si dhe për të ngopur delirin vetjak, atëherë përse gjen terren dhe si mbin kaq lehtë ky “egjër” i shpifur i diktaturës në trurin e qytetarëve, të cilët pasi “infektohen” me imazhin dhe me zërin e udhëheqësit “karizmatik” dhe “historik” zënë e brohorasin, -tani të lirë!- nëpër tubime elektorale njëlloj si në diktaturë? Ç’i shtyn? A mjafton vetëm manipulimi, krahinorizmi, partitizmi, dehja nga klientelizmi për të mbyllur sytë e mendjes? Nëse po, atëherë për kultin e individit paskan nevojë edhe konsumatorët, dmth një pjesë e zgjedhësve. Sipas Frojdit, sa më i pa qytetëruar dhe i pakulturuar të jetë njeriu, aq më e lehtë qenka të bëhet skllav i një idhulli “pa krena”. Historia jonë e afërt ka provuar se njerëzit kanë ndjekur qorrazi pas edhe idhuj të rremë! Janë penduar, po tepër vonë, se dëmi i shkaktuar shoqërisë, vendit, perspektivës!
Pikërisht këtyre ruralëve u drejtohet kjo trysni, ky mjet i diktaturës që quhet kult i individit. “Vullnetarët e Enverit” dolën nga periferia, nga zonat më të varfra e më të prapambetura të vendit...Kështu ndodh edhe sot: ata që ky i ka quajtur “mamurrsa” e “qëndrestarë”, dmth “vullnetarët e Saliut”, ushqehen me të njëjtën tagji mediatike, me kultin e individit. Thesi me miell, falja e një lope, në këmbim të votës, do të ishin të pamjaftueshëm pa lezetin e kultit të individit. 
 ***
Tani nuk është më partia në pushtet që na “solli lirinë dhe ndërtoi hidrocentralet”; nuk përdoret madje as thënia hipokrite e Enverit: Jeni ju, pa jemi ne!, se edhe kjo parullë ka pësuar ndryshim:”Qytetarët janë të parët!”...Njëlloj si dje, në diktaturë, edhe sot nuk janë kandidatët dhe alternativat që konkurrojnë mes vedi, po është vetëm një, kryetari i partisë, vetëm për të votohet! Se është ai që ka hartuar “listat”, është ai që vendos për gjithçka e gjithkënd, kur të bëhet kryeministër, ndaj, si shpërblim/detyrim/përcaktim, ai ka të drejtë të kërkojë nga ndjekësit e tij “faturën” e hyjnizimit të vetes me çdo kusht! Përndryshe je i djegur, i përjashtuar, i padenjë, në mos edhe armik!
Po të mos e pëlqente, dmth po të mos e kërkonte me ngulm kultin e individit Berisha, nuk do të guxonte kush ta shpallte herë si “Skënderbe të dytë”, herë si “kryeministri më i shkëlqyer dhe më i suksesshëm i gjithë historisë së Shqipërisë!”. Sigurisht që ai nuk e lyp direkt këtë, afërmendsh; por përderisa nuk e ndalon, do të  thotë se i vjen mirë ta dëgjojë e ta shijojë sa më shpesh...Mjafton të shihet se si reagon dhe si mallëngjehet kur dëgjon të tilla marrina t’i thuhen në sy...Mesa duket kulti i individi i shërben si një kurë e domosdoshme për të qetësuar dhimbjet e ndërgjegjes së vrarë.
Por teprimi i kultit të individit gjatë kësaj fushate nuk dëshmon vetëm sa i pangopur është udhëheqësi ynë “historik” për lavde (dolën së fundi edhe këngë “folklorike”, të porositura nga Lefterët, të cilët janë  gati “të bëhen ferra”për të!), porse Berisha ka nevojë jetike të na bindë, nëpërmjet “zërit të popullit”, se është ai që na e solli lirinë; që e shembi diktaturën; që bëri rrugën e Kombit e tunelin e Kërrabës dhe 1300 km rrugë të reja; është ai që na futi në NATO; që na liberalizoi vizat; që do të na fusë shumë shpejt edhe në BE; që do të na heqë vizat me SHBA-në; që na solli ekonominë e tregut; që na bëri të lumtur e që po zëmë vend të parë në shumë drejtime, etj, etj.
Kjo kurë, më saktë, kjo lloj droge mediatike, mesa duket nuk shërben vetëm për të kuruar dhe qetësuar posaçërisht pronarin e infektuar me kultin e individit...Kjo do të ishte gjysma e së keqes. Në të vërtetë kërkohet të drogohet me çdo kusht e mjet sidomos zgjedhësi, ai që të jep ose ta heq pushtetin. Sepse gjykohet se, sa më shumë të jenë të “droguarit” me kultin e tij të individit, aq më e sigurtë do të jetë fitorja më 23 qershor! Harxhohen miliarda për këtë qëllim dhe mobilizohen jo pak “specialistë”, tani edhe të huaj!
Vetëm se ta ushqesh dhe ta mëkosh popullin edhe në demokraci me kultin e individit në këtë ‘farë feje’, tek e fundit do të thotë të mos e trajtosh e vlerësosh atë si popull të qytetëruar, por si një kope, si tribu. Është kështu, padyshim; prandaj qytetet, katundet, rrugët, dyqanet dhe mjediset publike po ngulmohet kush e kush t’i  lyejë e t’i zhgryejë me ngjyrat e veta partiake, ashtu si lyhen me bojëra fytyrat e prijësve indianë...Ja përse dalin aq shumë nëpër ekrane dhe i bërtasin njëri-tjetrit, duke dëshmuar forcë, siguri dhe arrogancë të pashoqë, për të thyer kundërshtarin që para ndeshjes me urla, me bërryla, yshtje, nojma, shpifje, batuta e magjira mediatike, dmth me ngjyra “pendësh”, ashtu si veprojnë krerët e fiseve indiane.
Kjo tregon se ata, njëlloj si dishepujt e diktaturës vazhdojnë të na konsiderojnë si një popull tribu, të cilit kulti i individit, demagogjia, falsiteti dhe gënjeshtrat, sipas tyre, u duket ushqimi më i shijshëm e më jetik për t’u manipuluar! Vështruar me këtë sy, zgjedhjet e 23 qershorit do të provojnë se sa jemi çliruar  dhe shëruar ne, si popull, nga kjo sëmundje e trashëguar që quhet kult i individit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›