Ismail Kadare, sot "Honoris Causa" në Palermo
Në një ceremoni që do të zhvillohet në sallën "Magna dello Steri" në Universitetin e Palermos, sot paradite, rreth orës 10:30, do të mbahet ceremonia për dorëzimin e titullit "Doctor Honoris Causa" në "Shkenca të Komunikimit Shoqëror dhe Institucional", kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Programi i ceremonisë parashikon pjesëmarrjen e dekanit të Fakultetit të Shkencave Formuese, Michele Cometa, i cili do të sjellë një profil kritik të veprës së Ismail Kadaresë e do të veçojë tema e motive që karakterizojnë prozën e shkrimtarit të madh shqiptar në kontekstin diakronik e sinkronik të letërsisë bashkëkohore. Më pas do të vijohet me leximin e motivimit të "Honoris Causa" për Kadarenë nga profesorët Patrizia Lendinara dhe Matteo Mandalà, e në fund do të lexohet diskutimi, lectio magistralis i Kadaresë, titulluar "Leximi i një gjuhe të ndaluar".