“Kult” përdor dhe përdhos emrin
Letër e hapur:
Aktori Mirush Kabashi denoncon çmimet private “Kult” - ndahet çdo vit për artistë të të gjithë fushave - duke akuzuar dhe rebeluar njëkohësisht për listimin e emrit të tij pa e pyetur, pa marrë leje dhe pa nënshkruar asnjë kontratë fizike. Ndërsa organizatorët e çmimeve kanë qëndruar indiferentë, duke u shprehur se kërkesa e Kabashit për tërheqje është bërë me një telefonatë, duke mos pranuar dorëheqjen e aktorit, edhe pse mungojnë kriteret që saktësojnë këtë veprimtari në përzgjedhjen e emrave të artistëve. Ky spektakël, ku artistët e çmimeve marrin nga 3 mijë euro, mbështetet këtë vit edhe nga Ministria e Kulturës. Mirush Kabashi tregon mekanizmin se si funksionon ky çmim, kur përjashton çdo lloj kriteri artistik për vlerësimet
******************************************************************************************
Jam i detyruar të shkruaj publikisht për një shqetësim personal, po aq dhe në rrafshin artistik, asaj çfarë ndodh me kulturën në metropol, më ngushtë me komunitetin artistik. Më vjen jashtëzakonisht keq, sepse shqetësimi është flagrant, në kuptimin e shkakut që ma krijon atë. Ky shqetësim ka ardhur sepse po preket dinjiteti im jo vetëm artistik, por edhe ai njerëzor. E gjithë historia fillon me një telefonatë që para disa ditësh m’u bë mua nga një gazetare e revistës “Kult”, ku më njoftoi se unë isha nominuar për të qenë në listën e çmimeve “Kult” si aktor për rolin që unë kisha tek “Allegreto Albania”. Menjëherë, akoma pa e mbyllur telefonin i them: “Faleminderit shumë edhe atyre që më kanë gjykuar dhe kanë atë konsideratë për mua, por unë nuk pranoj. Për arsye të një eksperience jo të mirë në pikëpamjen e çmimeve dhe konkurrimeve kam thënë që nuk do të marr pjesë në asnjë lloj konkurrimi, ndaj faleminderit, por nuk pranoj”. Mendova se me kaq u mbyll kjo çështje. Pas dy ditësh, pata një telefonatë nga kryeredaktorja e revistës “Kult”, ku ajo u përpoq të më imponojë qëndrimin e saj. Më tha se ky lloj konkursi funksiononte në formë të tillë, që nuk merret mendimi i artistëve, sepse përderisa ata kanë dhënë shfaqje gjatë vitit të kaluar, atëherë janë të detyruar të jenë pjesëmarrës në këtë testim. Ky arsyetim mua m’u duk jashtëzakonisht fyes, sepse nuk mundet që produkti im artistik, puna ime, krijimtaria ime e çfarëdo niveli apo vlere qoftë, të futet dhe të konkurrojë për çmim, ose të përdoret nga dikush tjetër pa marrë autorizimin tim. Kjo jo vetëm që është amorale, por edhe antiartistike, sepse ka edhe ligje që mbrojnë veprimtarinë tonë. Mua më përdoret krijimtaria, kur tashmë dihet që këto janë gjëra të shenjta. “Kulti” nuk mund të ndërtojë sisteme abuzive, sepse ashtu iu intereson atyre.
Kam takuar më tej Ylli Sulën, që është pronari i revistës dhe presidenti i Akademisë së Çmimeve “Kult”. I kërkova që në mënyrë miqësore, dhe pa u bërë publik ky problem, të bëjnë veprimin më të thjeshtë, të tërheqin kandidaturën time dhe të vënë dikë tjetër, meqë unë nuk dua. Çuditërisht edhe ky, këmbënguli në këtë arsyetim që është jashtë lloj logjike. I thashë se unë nuk dua të marr pjesë se më ka rastisur që me këtë revistë, në pozitën e prezantuesit, të kem asistuar në një absurditet në ndarjen e çmimeve. Përpara tre viteve, çmimi i aktorit më të mirë iu dha njërit për një vepër që sot nuk mbahet mend, kur në konkurrim për këtë çmim ishte i madhi Sulejman Pitarka, që me rolin tek “Pjata e drunjtë” do të mbetet i paharrueshëm. Kam pasur edhe raste të tjera në karrierën time modeste që në festivale të ndryshme siç ishte ai i “Dramës moderne”, unë me monodramën time “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, ku janë dhënë mbi 100 shfaqje dhe është vlerësuar me shumë çmime, jo vetëm që nuk m’u dha çmimi i parë por as çmimi i karrierës. Ajo që dua të them është se të fyejnë në mënyrën më të paskrupullt. Për të gjitha arsyet e mësipërme i bëra me dije presidentit të Akademisë së çmimeve “Kult” se nuk dua të marr pjesë në këto konkurse, dhe kjo në fund të fundit është e drejta ime absolute, por ai këmbënguli me atë të veten.
Po ashtu, si njeri aktiv në komunitetin teatror, artistik, kam rezerva për mënyrën se si organizohet kjo veprimtari, ku juria që përzgjedh të nominuarit nuk është e mirënformuar për mënyrën e imponuar që përdorin organizatorët. Pra, përveçse të përcaktojnë se ti do të jesh i nominuar për këtë çmim, të përcaktojnë edhe se me cilën pjesë e me cilin rol do të jesh i nominuar. Ka edhe të tjerë që janë të nominuar për role të vogla, kur në fakt kanë pasur edhe role të tjera më me peshë gjatë vitit të kaluar, pra nuk jam vetëm unë. Ndaj e paraqes publikisht këtë indinjatë, duke u thënë se jo vetëm duhet t’i marrësh leje personit që nominon, por edhe të bësh një kontratë qoftë edhe morale me artistin. Gjithsesi, këto janë elemente të tjera. Vendimi im për të mos qenë pjesëmarrës ishte i lidhur me eksperienca të tjera të këqija të kësaj natyre. Nëse çmimet “Kult” kanë në qendër të veprimtarisë së tyre ato shfaqje që janë krijuar në vend dhe janë të destinuara të konsumohen nga publiku shqiptar. Ndërsa para dy vitesh, me gjithë konsideratën e madhe që kam për Eva Alikaj, i është dhënë asaj për një shfaqje që ishte vënë në Austri e që në Tiranë u dha vetëm njëherë, madje në gjuhën gjermane. Në këtë mënyrë u injorua veprimtaria e gjithë aktorëve të tjerë që kishin punuar këtu përgjatë një viti.
Edhe këtë vit, shfaqje të cilat janë bashkëprodhime të teatrit shqiptaro-maqedonas, që në Tiranë janë vënë vetëm një herë, në këtë konkurs ka disa aktorë të saj që janë të nominuar për çmim. Po përse nuk janë nominuar aktorë të rinj që kanë dhënë shumë dhe që shfaqja e tyre është vënë disa herë në skenën e teatrit shqiptar dhe publiku e ka parë disa herë? Kur unë isha prezantues i çmimeve “Kult” kam anonçuar, pasi ma kishte thënë vetë Ylli Sula, se shfaqjet duhet të jenë të destinuara për publikun shqiptar.
Ka një abuzim të madh dhe një çoroditje të madhe tek të cilat unë nuk dua të futem, por ajo që doja të sqaroja në këtë letër publikisht është se nuk dua të viktimizohem dhe të përdorem për hir të interesave të dikujt tjetër. Kjo është elementare, dhe më vjen shumë keq se pas shumë përpjekjesh që kam bërë me organizatorët e çmimeve “Kult”, që çështja të mos bëhej publike, por të zgjidhej mbi bazën e arsyes e të respektit reciprok. Por, mua jo vetëm që m’u përdhos edhe ky ofrim i respektit, por më imponojnë diçka që unë nuk e dua. Ata abuzuan me qëndrimin tim.
Edhe në media, ashtu sikurse në revistën që publikohet nga kjo kompani, u lajmërua se emri im vazhdon të jetë i vlerësuar, duke u përfshirë në katërshen e nominuar.
Nuk e dua këtë vlerësim. Unë kam të drejtë të marr jo vetëm veprime morale e medatike, por edhe ligjore. Janë shkelur kriteret që kam pasur rastin t’i anonçoj. Nuk më ka mbetur rrugë tjetër. Krenohem me vlerën morale, që kurrë ndonjëherë nuk i kam lejuar vetes të jem pjesë e prapaskenave. Kam biseduar me drejtorin e Teatrit Kombëtar, Kristaq Skarmi, dhe i kam kërkuar që të më mbrojë dinjitetin artistik, duke i thënë që ata të mos kenë filmimet e rolit tim. E sigurisht ai ka pranuar dhe më është përgjigjur se nuk kanë të drejtë të më përdorin. Ata nuk kanë të drejtë t’i kenë pamjet. Është një biznes që kërkon të ndërtohet mbi bazën e përdorimit të të tjerëve. Në këtë rast edhe anëtarët e jurisë përdoren. Me dy prej të cilëve komunikova, e cilësuan gabim këtë, dhe e kuptuan se në këtë mënyrë shkelej kriteri i aprovimit të vetë personazheve, si në pjesëmarrjen në aktivitet si edhe me rolin që merret pjesë. Anëtarë jurie janë: Mario Ashiku, Edi Topi, Mehmet Xhelili, Edi Luarasi dhe Artan Minarolli. Me dy prej tyre që unë kam komunikuar e kanë quajtur absurd faktin, që unë, edhe pse nuk kam pranuar, jam sërish pjesë e listës së të nominuarve, dhe që mua më imponohet pjesëmarrja. Juria nuk është e informuar për abuzimet, sepse vetë aktori është pronari legjitim i krijimtarisë së vet. Unë nuk jam këtu për të denigruar “Kultin”, dhe nuk është ky qëllimi im. Po të mos ishin këto makinacione dhe shkelje kriteresh, do të ishte evidentim krijimtarie. Nëse do të kishte kritere të sakta, do të ishte një stimul.