Projektligj i ri për sigurinë në punë, forcohen parametrat
Shëndeti në punë do të sigurohet përmes disa parametrave të mirëpërcaktuar. Ligji i hartuar “Për shëndetin dhe sigurinë në punë” pritet vetëm të kalojë për miratim në Parlament. Ministria e Shëndetësisë, ISHP dhe ISSH, hartuese të këtij ligji, do të jenë kontrollorët për parandalimin e dëmtimeve, paaftësive dhe vdekjeve të parakohshme në punë.
Ligji
Përmirësimi i standardeve për sigurinë dhe shëndetin në punë ishte në qendër të diskutimeve të konferencës së organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. E pranishme në këtë konferencë ishte edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila u shpreh se: “Parandalimi parësor, përmes zbatimit të rregullave për mbrojtjen e shëndetit në punë, bashkërenduar me kujdesin shëndetësor për punonjësit, bën të mundur që jetëgjatësia mesatare e punëmarrësve të jetë e barabartë me atë të komunitetit përkatës”, - tha ministrja Godo. Ndërkohë, kjo ministri në bashkëpunim me atë të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe institucione të tjera të vendit dhe të huaja, është duke punuar për të përmirësuar kuadrin ligjor që prek tërë spektrin e shëndetit në punë, në përafrim me direktivat e Bashkimit Evropian. Tashmë është miratuar në Kuvend ligji kuadër “Për shëndetin publik” dhe është duke u punuar për ligjin “Për shëndetin dhe sigurinë në punë”.
“Jemi të ndërgjegjshëm që zgjidhjet e çështjeve, që kanë të bëjnë me shëndetin e punonjësve, kalojnë caqet e shëndetësisë. Zgjidhjet janë të integruara në politikat e punësimit, zhvillimit social-ekonomik mbrojtës të tregut, mbrojtjes së mjedisit dhe aksesit të përballueshëm në shërbimet shëndetësore”, - tha ministrja e Shëndetësisë.
Monitorimi
Specialistë të ISHP-së, Agron Deliu dhe Arti Çiçoli, prezantuan dje rezultatet e monitorimit të kryer mbi kushtet e punës tek Bechtel Enka. “Shqipëria tashmë ka hyrë në rrjedhën e një zhvillimi normal me ndërmarrje të fuqishme dhe të vogla dhe është e nevojshme që legjislacioni ekzistues të rishihet dhe të bëhet në përputhje me atë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të merren shembuj nga rastet më të mira. Në këtë konferencë ne jemi marrë me dy raste pozitive, me punimet në tunelit e Kalimashit dhe kemi nxjerrë rezultate pozitive të punës në atë tunel, ku nuk ka aksidente me vdekje, ku përqendrimi i elementëve ndotës në tunel është brenda normave të lejuara dhe në legjislacionin e ri këto lloj praktikash kemi ndërmend të përfshihen në mënyrë të integruar”, - tha z. Deliu. Ai shtoi: “Gjithashtu, është punuar dhe në fushën e zonës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, ku është gjetur një ndryshim pozitiv, krahasuar me kushtet e punës së mëparshme, kemi gjetur dhe shërbim të sigurisë dhe shëndetit në punë tepër të organizuar, nga i cili përsëri duhet të marrim mësime dhe ta përfshijmë në programet tona dhe në legjislacionin tonë të ri që është përgatitur”.