E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superiorja-kooperativë, klubet janë kundër!



Ideja për të shitur të drejtat televizive të Kategorisë Superiore tek “gjermanet” nuk po gjen mbështetje nga klubet shqiptare. E trumbetuar me bujë nga kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në asamblenë e fundit të FSHF-së, gjetja për të shitur gjithçka “një herë e mirë” has në pakënaqësinë e donatorëve. Pasi presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, i tha “jo” një kontrate ku gjithçka shitej për 300 mijë euro (dhe këto paguhen në fund të sezonit), edhe njëshi i Tiranës, Refik Halili, nuk ka ngurruar të flasë mbi ato që i ka quajtur “gjëra që nuk shkojnë”, për të përkufizuar më pas gjithçka me fjalinë: “Kjo e çon futbollin 20 vjet prapa”. Në një prononcim për “Tring Sport News”, Halili sqaroi se do të jenë juristët e Tiranës ata që do të shqyrtojnë kushtet e parashikuara, për të caktuar ata më pas “kushtet”. Halili shtoi se Klubi i Tiranës është i hapur për bisedime. Kompania gjermane përfshin në kontratë përveç të drejtave TV edhe ato të menaxhimit të reklamave në stadium, por edhe ato të të ardhurave “shtesë” të klubeve. Por duke ju referuar asaj që Fushaj ka deklaruar një ditë më parë, edhe eurot e parashikuara rrezikojnë të mos mbërrijnë të “plota” në destinacion. Fushaj tha se kompania, nëse nuk nxjerr të ardhurat e saj zor se paguan atë që ka premtuar. Serioziteti mungon, Vllaznia duket se është plotësisht kundër këtij bashkëpunimi që edhe në rastin më të mirë, do të ngjallte dyshime tek klubet shqiptare, për fat të keq “injorante”(jo për faj të tyre) ndaj një fenomeni që kudo në botë prej kohësh është sa i konsoliduar, aq dhe me “spec”. Të drejtat televizive kanë shkaktuar më parë mosmarrëveshje edhe në vendet me futboll elitar. “Reklamat” në stadium nuk mund të përbëjnë shqetësim për të gjitha klubet shqiptare, është lehtësisht e kuptueshme që ato përbëjnë burim të ardhurash më së shumti në qytetet e mëdha, ku dhe biznesi është më i prirur të paguajë për një “parullë” në stadium. Skuadra si Tirana e Vllaznia nuk mund të anashkalojnë këtë burim të ardhurash, që sipas asaj që momentalisht ofron “UFA” shkon në favor të kësaj të fundit.

20 vjet prapa

Në një prononcim për “Tring Sport News”, presidenti i Tiranës, Refik Halili, tha: “Ka gjëra që nuk shkojnë. Kjo e çon futbollin 20 vjet prapa”.

Dilemat e pagesës

Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, gjatë një prononcimi për mediat, ngriti dyshimet se nëse kompania nuk nxjerr të ardhurat e saj zor se paguan atë që ka premtuar.

Ervin Skela ende në “ajër”

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, është ende pa një skuadër për sezonin e ri futbollistik, kur nga mbyllja zyrtare (31 gusht) kanë mbetur më pak se dhjetë ditë kohë. Mesfushori shqiptar është stërvitur javët e fundit në shtëpinë e Bajer Leverkuzenit, por pa marrë ende ndonjë ofertë konkrete nga klubi i Bundesligës gjermane. Skela gjatë një prononcimi për mediat shqiptare pohoi se kishte refuzuar disa oferta (jo të mira nga pikëpamja financiare) nga klube të Bundesligës së dytë gjermane. Ndeshja e fundit e Skelës në futbollin e luajtur është ajo me Kombëtaren e Shqipërisë kundër Qipros (6-1), ku fantazisti shënoi dy gola nga pika e bardhë e penalltisë.

DISA NGA LËVIZJET E LEGJIONARËVE
Lojtari Nga Tek Shteti
Lorik Cana O.Marsejë Sandërlend Angli
Edmond Kapllani Karlsruhe Augsburg Gjermani
Ansi Agolli Tirana Krivbas Ukrainë
Besart Berisha Bërnli Arminia B. Gjermani
Klodian Duro Omonia Apollon Qipro
Samir Ujkani Palermo Novara Itali
Gilman Lika Haccetepe Boluspor Turqi
Xhevair Sukaj Gençlerbirligi Orduspor Turqi

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›