Nuk duhet Selanik, duhet Thessaloniki
A do të jetë takimi mes homologëve Panariti- Avramopulos në Athinë një ogur i mirë për ti dhënë fund problemit që emigrantët shqiptarë në Greqi kanë me certifikatat?
Shoqata e emigrantëve shqiptarë Nënë Tereza në Greqi ka dërguar ankesa në ministrinë e Punëve të Jashtme shqiptare, dhe nuk është rast i rrallë që zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër.
Ndërkohë, në një shkrim në GSH janë evidentuar problematikat që emigrantët shqiptarë kanë me certifikatat. Ata janë pezulluar nga nxjerrja e certifikatave, nuk rinovojnë dot lejen e qëndrimit, as fëmijët e tyre nuk rinovojnë dot dokumentet e qëndrimit në Greqi, nuk regjistrohen dot në shkolla apo universitete.
Dhe e gjithë kjo pse? Në certifikatat e lëshuara në Shqipëri, emrat e qyteteve shkruhen në gjuhën shqipe, por Greqia prej mëse një viti nuk e pranon më asnjë dokument të tillë në zbatim të një marrëveshje, të arritur para disa vjetësh për standardizimin e emrave gjeografik, e cila u miratua në New York më 1998.
Sipas kësaj marrëveshje, të gjithë emrat e Greqisë do shkruhen si në gjuhen greke, por të konvertuara në germa latine. Kështu Selaniku shkruhet Thessaloniki, Kosturi shkruhet Kastoria, Florina në vend të Follorinës, Korfuzi shkruhet Kerkira.
Prandaj edhe në certifikatat e lëshuara në Shqipëri duhet që emrat të ishin shënuar në përputhje me këtë marrëveshje.
E ndërsa ministria Punëve të Jashtme deri më tani ka qenë e heshtur, emigrantët, të cilët i kërkojnë me qiri për ti bindur të kthehen në kohë fushatash, po shpresojnë për ndonjë zgjidhje të këtij problemi në takimin e ministrit tonë të Jashtëm Edmond Panariti me homologun e tij Dimitris Avramopulos.
Gjithashtu, në gazetë jepet si sugjerim modeli turk ku emrat e qyteteve shkruhen në dy variantet, psh Selanik Thessaloniki.