E Diel, 1 Nëntor 2026

Kultura shqiptare dhe gjermane në penelin e Kuçanës

Në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë është çelur ekspozita ”Udhët” e piktorit shqiptaro-gjerman Arben Kuçana. Autori e paraqet udhën e tij krijuese si një marrëdhënie dykalimshe mes kulturës shqiptare e asaj gjermane. Udhë që bashkohen, ndahen, gjarpërojnë në një labirint pafund. Udhë që nisin dhe nuk mbërrijnë askund. Rrathë që lidhen dhe rrinë më vete. Të gjitha në një raport të përhershëm me njëra-tjetrën, si në një dimension pafund të kohës ku jetojmë. Vetë jeta e piktorit Arben Kuçana i ngjan një udhe, që nuk i duket fundi. Pafundësi e saj nisi më 2 korrik 1990, kur ai u fut refugjat në ambasadën gjermane në Tiranë, në kërkim të një bote të lirë dhe njëherazi si rebelim ndaj regjimit komunist. Një hapësirë e pamatë lirie artistike, eksperimentimesh për të njohur veten do t' i hapej piktorit të ri 27-vjeçar, talentin e të cilit e kishte prangosur dogma e realizmit socialist. Gjermania u bë atdheu i tij i adaptuar, që i dha mundësi të formoje identitetin e tij artistik. Pas më shumë se 20 vitesh, ai rikthehet tani në Shqipëri, në atdheun e tij të origjinës, për të treguar me gjuhën e artit përvojat e tij jetësore, artistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›