E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: Monumentet e kultit, në rrezik

SHKRUAN: Aida Tuci 18-03-2011 11:17

Një rrugëtim nëpër thesaret e trashëgimisë sonë kulturore ofron arkeologu Neritan Ceka në botimin e tij më të fundit “Archaeologjical Treasure from Albania” (Thesare arkeologjike nga Shqipëria).

Imazhet e monumenteve arkeologjike shqiptare nga veriu në jug është publikuar në dy vëllime fotografike të shoqërua dhe me historinë e tyre në gjuhën angleze. “Është një botim që i drejtohet më tepër lexuesit të huaj dhe në funksion të turizmit.”- tha vetë autori Ceka në promovimin që iu bë dje në mjediset e Ministrisë së Kulturës. Por përtej këtij botimi që mbart vlera historike, ajo që theksoi arkeologu Ceka ka të bëjë me debatin më të ashpër që bëhet sot për trashëgiminë kulturore; shkatërrimi i tyre. Sipas Cekës, “procesi” i shkatërrimit nuk ka prekur monumente arkeologjike, por monumentet e kultit. "Për fat të mirë shkatërrimi nuk ka prekur monumente arkeologjike. Ato që kanë pësuar dëmtime janë kryesisht monumente të kultit, të cilat janë lënë pas dore për shkak të një organizimi jo shumë inteligjent të punës me këto monumente. Janë shpenzuar shuma të mëdha parash që nuk kanë shkuar tek 'i sëmuri'", tha arkeologu Ceka ndër të tjera. Ndërsa u ndal sigurisht dhe te botimi që ai dhe MTKRS-së e sjellin me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

"Këto dy vëllime janë një vepër e mirëfilltë shkencore me një disiplinë rigoroze, qoftë të paraqitjes materiale të tekstit të shkruar, qoftë dhe të materialit fotografik. Nga ana tjetër botimi në dy vëllime i thesareve arkeologjike të vendit tonë është një përpjekje për t’i shtuar bibliotekës shqiptare një libër vlerash në dy vëllime. Pasuria jonë arkeologjike është ndër të paktat vlera me të cilat ne ende mund të krenohemi, ndryshe nga monumentet e kultit, të cilat po përjetojnë një situatë kritike.” – tërhoqi vëmendjen arkeologu Ceka. Ndërsa për ministrin e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, institucioni i të cilit është mbështetësi kryesor i botimit të dy vëllimeve, përmbajtja e botimit dy vëllimor “Archaeologjical Treasure from Albania” në fakt e tejkalon edhe vetë përcaktimin që i ka dhënë autori, një “album” me fotografi. “Nëse shfletohet, është në të vërtet një mozaik ‘i gjallë’ përmes skenave të të cilit shpaloset arkeologjia, monumentet, peizazhi dhe historia, e thënë në mënyrë më të përmbledhur, trashëgimia kulturore e Shqipërisë. Edhe pse është shumë e vështirë që përmes fotografive të jepet qartë vlera e vërtetë e pasurisë sonë arkeologjike, mënyra e konceptimit, ideimit dhe shpjegimit të paraqitur në të dy vëllimet të orienton natyrshëm në një udhëtim të gjatë me fillesë në Shkodër (Scodra - kryeqendra e mbretërisë ilire të ardianëve, kështjella më e fortë e labeatëve), ‘stacionet’ e të cilit përmes përshkrimit historik (nga shekulli VI p.Kr. deri në shek. VI mbas Kr.), hartografik (sipas rajoneve ku ndodhen), fotografik - dëshmi monumentale, fortifikime, amfiteatër, teatrot antik, bazilikat dhe pagëzimoret kristiane, mbishkrime, monedha, skulptura, qeramikë, relieve, fragmente mozaikësh, punime ari të cilësisë së lartë etj., shfaqin natyrshëm vlera të papërsëritshme dhe herë-herë unikale, thesare të vërteta të asaj çfarë në realitet është trashëgimia kulturore e Shqipërisë dhe potencialin e mrekullueshëm të turizmit kulturor që ajo ofron.”- tha ndër të tjera ministri Xhaferaj.

Ceka është ndalur në këtë botim në përshkrimin më në detaje për qendrat elitare të antikitetit tonë, të tillë si Dyrrhachium, Apollonia, Berati (Partha), Byllis, Buthrotum dhe qendrat përreth, Antigonea etj. Nëpërmjet fotografive të vona, por edhe atyre të hershme në kohë, që datojnë në fillimet e gërmimeve arkeologjike, ndiqet kronologjia historike që nuk lë pas edhe disa nga monumentet mesjetare, por të vendosura pranë atyre antike, si në rastin e Beratit, Elbasanit, Himarës etj., qendra në të cilat trashëgimia e së kaluarës bashkëjeton me të tashmen.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›