Promovohet në Prishtinë "Mosmarrëveshja" e Kadaresë
E karakterizuar nga autori si sprovë letrare ,"Mosmarrëveshja" është vepra më e re e shkrimtarit tonë me famë botërore Ismail Kadare. Ky libër, që ka zgjuar interesimin e lexuesit e të kritikës letrare, në organizim të PEN Qendrave të Kosovës dhe Shqipërisë, do të përurohet në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, sot në orën 17.00.
Për librin do të flasin studiues dhe shkrimtarë nga Shqipëria e nga Kosova. Trajtesa “Mosmarrëveshja”, nga kritika letrare, gjuhësore dhe më gjerë është vlerësuar si një letrarizim i historisë shqiptare, si mundësi për ta lexuar atë edhe si një filozofi e historisë sonë, e për t’u parë nga një kategori tjetër edhe si një program pune dhe respektim ligji, si fenomen gjuhësor, si vlerë që na mundëson të bëhemi më qytetarë, e deri te dikush tjetër që autorin e saj e sheh si një orakull.
Libri nis me sprovën “Rreth himnit të vjetër të shtetit”, për të vazhduar më tej me “Enigma”, “Mjegull, Prolog me djallin”, “Dialog me Djallin dhe Zotin”, “Pantomima e frikshme e Bronzit”, “Gjergj K kundër Arbrit”, “Intermexo me dy vrasje në sfond”, “Lëngatë në gadishull”, “Tri gjendje të Kastriotit” dhe “Epilog me Zotin”. Në të vërtetë libri "Mosmarrëveshja”, i botuar nga “Onufri”, mund të lexohet dhe të përjetohet edhe si marrëveshje e si një mundësi për t’i rirregulluar raportet e Shqipërisë e të shqiptarëve me vetveten. R. Sylaj