Një histori dashurie perandorake
Libri: Katerina e Madhe dhe Potemkini
Autori: Simon Sebag Montefiore
Shtëpia botuese: 55
Dashuria perandorake e Katerinës II me princin Potemkin lë në hije edhe dashurinë e madhe mes Antonit dhe Kloeptarës- kështu e cilëson vetë autori librin e tij më të fundit që vjen në shqip, Simon Sebag Montefiore. “Ky është libri i parë historik mbi marrëdhënien mes dy njerëzve më të mëdhenj të Rusisë, sundimtarët më humanë, marrëdhënia e tyre, fuqia e dashurisë që në të vërtetë ishte një aferë dashurie që ia kalon edhe dashurisë mes Antoni dhe Kleopatrës, prandaj shijojeni këtë dashuri perandorake”- kështu i fton Montefiore lexuesit e tij shqiptarë në librin “Katerina e Madhe dhe Potemkini”, që sapo ka dalë në shqip.
Si Princi Potemkin bëri për vete Sovranen
Gjatë revoltës së Pugaçev-it në krah të Katerinës u shqua bukuria e një ushtaraku që thuhej se ishte një ndër të përkëdhelurit e Caristes, i cili më pas u bë Gjeneral i Qeverisë në Jug të Rusisë. Ai ishte Gregori Potemkin, i cili udhëhoqi fitoren në Krimea gjatë Luftës kundër Turqisë (1768-1774). Për këtë fitore Katerina i dha titullin Princ. Potemkin ishte natyrë karrieriste dhe gjithmonë kishte ëndërruar të mposhtte Greqinë dhe Turqinë, për t’i bërë një shtet të vetëm, si ai që do të sundonte më vonë si Princ. Ndërkohë princi Potemkin kishte dhënë prova se ishte besnik i sovranes dhe ishte i gatshëm që të ishte pjesë e projekteve të saj për të populluar territor e për të zgjeruar pushtetin e saj perandorak. Dhe kur mendoi se kishte dhënë kontributin e tij të paktën në realizimin e një pjese të projektit të saj për pushtet, ai guxoi të ftonte sovranen në një udhëtim përgjatë lumit Dniepër, për të parë tokat e pushtuara. Por nuk ishte koha dhe as mundësia financiare për të ngritur shtëpi në tokat e pushtuara e për t’i bërë ato të banueshme. Por Potemkin nuk e humb toruan, për të bërë për vete Katerinën ndërton disa shtëpi prej kartoni të pikturuara, që nga larg, ose më saktë nga anija me të cilën ata udhëtonin, dukeshin si shtëpi prej vërteti, duke i bërë kështu një “dhuratë” që Katerina e vlerësoi shumë. Kështu Princi bëri për vete Katerinën e lidhja e tyre dashurore, plot intriga dhe “gënjeshtra” nga ato që quhen të bardha u bë dhe dashuria më e madhe perandorake.