"Kultura shqiptare nuk ka vetëm spektakle"
Proza shqipe në gjermanisht. Shoqata Kulturore "Robert Schwartz", së shpejti me një botim në gjuhën gjermane të prozatorëve më të mirë shqiptarë. Ardian Klosi: Antologjia në dy pjesë: jeta nën diktaturë dhe autorë të rinj
Të gjithë krijuesve shqiptarë, këtë verë u ofrohet një mundësi e mirë për të treguar se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Shoqata kulturore shqiptaro-gjermane, "Robert Schwartz", prej disa javësh ka çelur konkursin e prozës shqipe, i cili ka për qëllim përzgjedhjen e tregimeve më të mira dhe përfshirjen e tyre në një botim, në gjermanisht dhe shqip.
Arsyeja, sipas drejtorit ekzekutiv të shoqatës, Ardian Klosi, është prezantimi i letërsisë sonë edhe në vendet gjermanofolëse e më gjerë.
Ashtu siç edhe ka njoftuar më parë gazeta "Shekulli", këto krijime nuk duhet të jenë botuar më parë, të mos i kalojnë të 15 faqet dhe duhet të dorëzohen brenda fundit të muajit gusht. Subjekti i tregimeve duhet të trajtojë tema aktuale, si marrëdhëniet me fqinjët, dilema të identitetit kulturor etj.
Klosi, nëpërmjet kësaj interviste, tregon kriteret dhe disa nga përparësitë e këtij konkursi.
Z. Klosi, para pak kohësh, shoqata gjermano-shqiptare, "Robert Schwartz", shpalli një konkurs për prozën më të mirë shqipe. A mund të na tregoni çfarë interesi zgjon proza jonë për këtë shoqatë?
Në të vërtetë, shoqata jonë nuk kujdeset vetëm për përhapjen e kulturës gjermane në Shqipëri, por edhe anasjelltas, për përhapjen e kulturës shqiptare në Gjermani. Në realitet, për shkak të mjeteve të kufizuara financiare, si dhe për arsye organizative, shumë pak është bërë në drejtimin e dytë.
Këtë vit na u krijua mundësia financiare që të punojmë edhe për njohjen e letërsisë shqipe në vende të gjuhës gjermane (deri tani kemi sjellë në shqip dy botime me tregime te autorëve gjermanë në vitet 2007-'08: "Tregimtarë të gjuhës gjermane, 1900-1945" dhe "Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-ës").
Është disi e padrejtë që, pas këtyre veprave të vëllimshme, ku jepet mjaft mirë për publikun shqiptar tabloja e një letërsie të madhe përgjatë një shekulli, të mos i jepet publikut gjerman, austriak e zviceran, një pasqyrë e krijimtarisë bashkëkohëse prej autorësh shqiptarë. Kështu lindi dhe ideja për të ndërtuar një pasqyrë të asaj më së mirës që është krijuar nga autorët shqiptarë në dy dhjetëvjeçarët e fundit.
Si do ta përshkruanit situatën, në të cilën gjendet proza shqipe?
Po të vëreni me kujdes, zhvillimi i letrave te ne është disi i shfazuar, spontan, i papërkujdesur. Ne nuk dimë cilët janë autorët kryesorë dhe cilat krijimet më të mira.
Qysh prej përmbysjes së viteve 1991-'92, kemi mënjanë autorët e sociorealizmit, të cilët ku me sukses, ku pa sukses, u përpoqën t'u përshtaten rrethanave të reja, d.m.th., të shkruajnë në kushtet e lirisë së krijimit dhe indiferencës së shtetit e të publikut.
Në anën tjetër, vërejmë përvijimin e disa grupimeve letrare që na kanë dhënë në mënyrë të parregullt edhe botime, si revista e libra, që herë-herë sjellin risi ose freski në letrat tona, por shpesh vetëm frymën e tarafit dhe mbajtjes së sho-shokut me çmime, lëvdata etj.
Pastaj kemi disa botime jashtë shtetit, që përveç librave të Ismail Kadaresë, janë dhe ato sporadike, pa arritur t'i thonë lexuesit të huaj se ç'ndodh në përgjithësi me krijuesit shqiptarë dhe letërsinë shqipe sot.
Mbi çfarë kriteresh do të bëhet përzgjedhja e lëndës për këtë botim?
Është një detyrë dhe angazhim shumë i madh të ndjekësh dhe nxjerrësh në pah atë që ndodh me të vërtetë me një letërsi të tërë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, diasporë. Letërsia tek ne, ndryshe nga sa kam vënë re në Gjermani, Francë, Austri etj., nuk ka një sistem vlerash që e mban, nuk ka atë rang dhe ndikim që mund të pritej, ose që ka pasur dikur në socializëm, edhe pse në rrethana të përçudnuara.
Dikur, kur shihnim të ecte në rrugë Sterjo Spasse ose Jakov Xoxa, qoftë dhe Teodor Laço ose Sabri Godo, i vështronim me respekt të madh, si prozatorë, si rrëfimtarë. Sot, të rinjtë as nuk i njohim më të na dalin përpara.
Nuk ka të bëjë kjo me moshën, sepse të njëjtën gjë provova sivjet në mars, kur u ndesha në Panairin e Leipzigut me Daniel Kehlmannin dhe Ingo Schulzen, dy nga prozatorët gjermanë më në zë sot; po, po, më rrahu zemra dhe po druhesha t'u flisja, sepse e di sa bukur shkruajnë, sepse kritika dhe mediat gjermane i kanë ngritur ata publikisht në rangun që meritojnë. Kjo gjë te ne mungon.
Pra, të vetëdijshëm se një tablo kaq të plotë dhe objektive nuk mund ta japim, në mungesë të levave që e bëjnë një letërsi të njihet vërtet, le të përpiqemi, të paktën, të evidentojmë tekstet më të mira. Kësaj i shërben edhe shpallja e konkursit.
Dhe tekstet më të mira që do të paraqiten në këtë konkurs, janë i vetmi material që do të përmbajë botimi?
Jo, kjo është vetëm një pjesë e lëndës që po mblidhet. Jemi duke qëmtuar të gjitha botimet e viteve të fundit, për të mos i bërë askujt padrejtësi. Simpatitë dhe antipatitë personale duhet të rrinë larg procesit të zgjedhjes së teksteve më të mira.
Me një pjesë të autorëve njihem personalisht, u kam shkruar dhe më janë përgjigjur duke dërguar me kënaqësi krijimet e tyre. Me konkursin dhe çmimet që do të japim, synojmë më shumë të diktojmë autorë relativisht të rinj, që s'i kanë pasur mundësitë e popullarizimit dhe botimit sikurse disa të tjerë.
Cila është ndihma që vjen nga tregu i librit?
Është shumë e vështirë të orientohesh për letërsinë e sotme shqiptare në treg apo në librari. Tek ne qëllon e shumta që të marrë famë dhe të blihet shumë ndonjë roman, sikurse ka ndodhur dy vitet e fundit me romanet e Ben Blushit.
Kurse për vëllime me tregime që të jenë bërë popullorë, nuk dëgjon të flasin njerëzit dhe shtypi. Ndonjë librari ka filluar të nxjerrë klasifikimin e librave më të shitur, por edhe këto klasifikime nuk janë të sigurta dhe nuk të orientojnë.
Lexueshmëria e një vepre patjetër që do të na ndihmojë, por më shumë kur bëhet fjalë për vepra të mëdha, prej të cilave mund të shkëputim një episod a një fragment që qëndron më vete; kështu do të veprojmë, p.sh., me veprën e at Zef Pllumit, "Rrno vetëm për me tregue".
Për të tjerat, burimi më i sigurt mbeten njohjet tona, përshtypjet që kanë kolegët e besueshëm e me shije për aksh a akcil libër. Sidoqoftë, tek e fundit, pasi janë mbledhur këto të dhëna, është leximi vetjak ai që përcakton.
Çfarë strukture do të ketë botimi, pasi të keni mbledhur tekstet e duhura?
Mendoj se do të kemi më shumë se një botim. Vetë do të më pëlqente njëherë një antologji me tekste, që pasqyrojnë jetën nën diktaturë. Ka shumë rëndësi përpunimi letrar i asaj periudhe pas fazës kur mbisundoi publicistika, bashkë me mllefet ose mistifikimet e shumta.
Përpunimi i mençur letrar precipiton dhe kthjellon atë që ishte me të vërtetë, atë që ndjeu ose pësoi njeriu shqiptar në një periudhë të rëndësishme të historisë sonë.
Ndaj, do kisha shumë dëshirë të bëja një antologji me tekste prej Zef Pllumit, Kasëm Trebeshinës, Lekë Tasit, Maks Velos, Fatos Lubonjës, Vera Bekteshit, por edhe më të rinjve, që s'po ua përmend emrin dhe që s'është e thënë doemos ta kenë vuajtur atë kohë në burgje ose internime. Rëndësi ka të kemi tekstet më të mira reflektuese nga '90-a deri më sot.
Një botim tjetër do të përfshinte atë që ndodh sot në botën shpirtërore të krijuesve më të mirë, pra letërsia në rrafshin sinkronik. Një botim i tillë, në qoftë se përzgjidhet me kujdes, arrin edhe të japë atë që zien në shoqërinë shqiptare sot, apo që e trondit këtë shoqëri, edhe individualitetet më të mira që shkruajnë, pra një spektër stilesh dhe këndvështrimesh nga më të ndryshmet.
Kur ta kemi në dorë pastaj një libër të tillë, do mundet të themi: Shih! po u shkruaka në Shqipëri, në Kosovë e gjetiu!, bota kulturore shqiptare nuk u përbëka vetëm nga topfestet, videoklipet dhe domenica in, nuk paska vdekur në këtë vend meditimi, fantazia dhe dashuria për fjalën.
Këto botime që përmendet i drejtohen vetëm publikut të huaj?
Mendoj se kryesorja është njëherë që të qëndrojnë si botime më vete. Për këtë arsye, më e mira do të ishte të dilnin një herë në shqip. Por, nuk përjashtohet që të dalin njëkohësisht në shqip dhe në gjermanisht, ndoshta edhe në gjuhë të tjera.
Shoqata jonë në këto vite pune ka diktuar dhe afruar jo vetëm përkthyes të mirë nga gjermanishtja në shqip, por edhe në rrugën e përkundërt, nga shqipja në gjermanisht. Edhe për këtë arsye, kam bindjen se botimet do të jenë cilësisht të mira në disa pikëpamje.
Kur është afati i fundit për dorëzimin e teksteve?
Kishim shpallur njëherë fundin e korrikut, tani duke parë që një pjesë e krijuesve nuk ka mësuar ende për të, vendosëm ta zgjasim edhe një muaj, pra, deri në fund të muajit gusht 2009. Tekstet mund të dërgohen në adresën; Rr. "I. Qemali" 30 TR ose në e-mailin: hannak@abissnet.al
Më shumë jetë njerëzore në kinema. Krijesa e Mike Leigh-së, në ekranin e vogël shqiptar
Një Vera Drake e jashtëzakonshme
Në morinë e filmave aksion, të tejmbushur me efekte speciale e me njerëz gjysmë robotë, apo kompjuterë që tentojnë të ndjejnë njerëzisht, realitet që prodhon çdo ditë makineria më e madhe e filmit në botë, Hollivud, po humbasin çdo ditë e nga pak filmat mbi jetën dhe emocionet njerëzore.
Filmat që trajtojnë jetën e përditshme, problemet e prekshme sociale apo njerëzore. Një nga regjisorët që u kushton vëmendje të veçantë këtyre gjurmëve të përditshme që lë njeriu, është britaniku Mike Leigh, i njohur së fundmi për publikun shqiptar me filmin "Vera Drake". Prej disa kohësh, ky film, i realizuar në vitin 2004, po shfaqet edhe në ekranet televizioneve me pagesë.
Mund të themi se është një fat për publikun shqiptar që ka mundësinë të ndjekë një film të tillë, që trajton një nga fenomenet më të kundërshtuara në gjithë historinë e njerëzimit, abortin.
"Një grua, një nënë dhe një kriminele", është Vera Drake (Imelda Staunton) që tregon Leigh. Një bashkëshorte e përkushtuar, një nënë e devotshme, por që fsheh një sekret tronditës.
Jemi në Anglinë e viteve '50-të, lufta ka pak kohë që ka përfunduar dhe njerëzit përballen me problemet e para të shoqërisë së re, ku liria e shfrenuar e rinisë e bën dukurinë e abortit më të shpeshtë.
Të mos lindësh fëmijën e ngjizur mes dy njerëzve, duke e mbytur me forma si ujë në sapun, që Vera e ëmbël dhe shpëtimtare përdor, është një akt që ende gjykohet me ligjet e rrepta të një shekulli më parë.
Megjithatë, pastërtia shpirtërore e Verës, nuk e lë që të shohë në këtë mënyrë. Ajo thjesht ndihmon vajzat e reja të kenë sërish një jetë normale, dhe këtë e bën pa kurrfarë shpërblimi.
Dhe aktorja Imelda Staunton është bindëse në rolin që i ka besuar Leigh. Në fakt, ndodh që kur Leigh vlerësohet për regjinë apo filmin më të mirë, siç ka ndodhur në festivalet e Kanës, Venecies apo Berlinit, vlerësohet me çmim edhe aktori apo aktorja.
Rasti më i fundit është filmi i 2008-ës, "Lumturia sjell fat" (Happy go lucky), ku aktorja protagoniste Sally Hawkins, fitoi një "Globe të Artë" dhe "Ariun e Argjendtë" në festivalin e Berlinit, si aktorja më e mirë protagoniste.
Duket se puna e Leigh-së me një aktor nuk mbaron me përfundimin e një filmi. Pas "Vera Drake", ai po punon sërish me Imelda Staunton, në një projekt që del në kinema në vitin 2010. Kushedi se çfarë udhëtimi në brendinë e njeriut po përgatit këtë herë Mike Leigh.