Braçe: Pa mandatin e Fierit e Beratit, nuk ka qeveri legjitime
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, deklaroi dje se shtyrja e procesit të numërimit, ka për qëllim vjedhjen e votave të qytetarëve
TIRANË- Shtyrja e procesit të numërimit ka për qëllim vjedhjen e votave të qytetarëve dhe shpalljen të pavlefshme të kutive, që kanë brenda votat për Partinë Socialiste.
Ky ka qenë reagimi i deputetit socialist, Erion Brace, i cili ka shtuar se kjo shmangie nga e vërteta bëhet për t'i dhënë kohë Partisë Demokratike që të gjejë mundësitë e reja për manipulim. Përmes një konference për shtyp, Brace e ka cilësuar këtë proces të shpërfytyruar dhe nën ndikim kriminal.
"Shtrirja e paligjshme e procesit të numërimit përtej çdo caku, po ushqehet nga bindja kriminale e Sali Berishës për të deformuar e vjedhur votat e shqiptarëve për forcën e parë politike në vend, Partinë Socialiste. Qeveria virtuale e 48 orëve të fundit, ajo e koalicionit Berisha- Meta, është instrumenti i paligjshëm dhe i dhunshëm, që kërkon të dekurajojë numërimin dhe transparencën e çdo vote",- tha Brace.
Deputeti i PS-së siguroi se, Partia Socialiste ka marrë vota të mjaftueshme për të qenë forca e parë politike në vend pas zgjedhjeve të 28 qershorit, por përpjekjet e panumërta të PD-së, nuk po lejojnë të triumfojë e vërteta e thënë prej elektoratit nëpërmjet votës tyre.
"Kjo përpjekje kriminale që shkel rëndë Kushtetutën, duke mos numëruar votat e shqiptarëve edhe 7 ditë nga hedhja e tyre në kutinë e votimit, po rrënon përfundimisht dhe pa kthim procesin zgjedhor në këtë vend, proces i cili kështu nuk ka më asnjë standard ndërkombëtar që ta bëjë të pranueshëm",- tha ai. Braçe ka theksuar se pa numërimin e çdo vote, nuk ka standarde dhe pa standarde nuk ka mandate.
Për këtë arsye, ai shtoi se, PD-ja duhet t'i hapë rrugën numërimit të kutive të mbërritura në KQZ për rinumërim, rivlerësimin e 2200 votave të shpallura të pavlefshme, përkatësisht nga KZAZ nr. 2 dhe 1 në Berat, të cilat i sigurojnë PS-së mandatin e pestë në këtë qark.
Madje, ai ka shtuar se për numërimin e drejtë të votave, PS-ja do të paguajë çdo çmim, pavarësisht se kush do të jetë përballë, Sali Berisha, Ilir Meta, apo edhe të liruarit nga burgu për zgjedhjet, si bashkëpunëtorët e tyre jetikë. "Pa mandatet në Fier, Tiranë dhe Berat, nuk ka qeveri as virtuale, as të trafikuar e as hibride, as legjitime",- tha Braçe.