Kumani prezantohet me ironi: Ju bëmë 2 gola
Jorgis MEMO
Pas seancës së fundit, të zhvilluar në “Qemal Stafa”, trajneri i Hungarisë, Ervin Kuman, doli në një konferencë për shtyp, ku merrnin pjesë më shumë gazetarë të ardhur nga Budapesti, pasi interesimi i mediave vendëse nuk ishte aq i lartë. Holandezi e shprehu hapur synimin e tij për këtë ndeshje, ku përveç fitores nuk do të ishte i kënaqur as me barazimin. Nga ana tjetër, ai vlerësoi edhe Shqipërinë. Gjithsesi, Kuman nuk ngurroi të provokonte, teksa ndër të tjera u shpreh se ekipi i tij i ka shënuar dy golat e vetëm kuqezinjve të Ari Hanit. “Mos harroni që ndeshjen e parë kemi fituar ne dhe më pas ju nuk keni pësuar më gola”, theksoi Ervin Kuman, i cili foli edhe për kolegun e tij në pankinën e Shqipërisë. Për më tej, ja si u shpreh ai:
Zoti Kuman, Shqipëria kërkon fitoren, pas atij barazimi zhgënjyes në Maltë. Cili është vlerësimi juaj për kundërshtarin?
Ekipin shqiptar e respektoj, kjo për vetë rezultatet që ka arritur deri më tani dhe me atë që kam vëzhguar në ndeshjen e parë. Di të them që në fushën e vet është një skuadër shumë e vështirë për t’u mundur. Ndeshja është e një rëndësie të veçantë për ne, sepse kemi synimet tona, për të vazhduar me rezultate pozitive.
Atëherë, do të ishit të kënaqur me një barazim në Shqipëri?
Ne kemi ardhur në Shqipëri për të fituar dhe jemi të ndërgjegjshëm që nuk do të jetë e lehtë për t’ia arritur. Vetëm trepikëshi do të më kënaqte, sepse është rruga e vetme që ne si ekip të vazhdojmë të pretendojmë kualifikimin në Botëror. Siç e thashë, ekipi shqiptar është i fortë në fushën e vet dhe këtu kam parasysh barazimin me Suedinë, por që duhet përgëzuar më tepër, për të njëjtin rezultat që arriti në Portugali. E njoh mirë kundërshtarin dhe vlerësimi ynë është i lartë, aq më tepër që në ndeshjen e parë, ne arritëm nëj fitore të vështirë.
Do të jeni pa dy mbrojtësa titullarë. Çfarë mund të na thoni ëpr këtë?
Po, është e vërteta që do të na mungojnë për shkak kartonësh, mbrojtësit Juhash dhe Bodnar. Gjithsesi, futbolli ky është dhe në një edicion parashikohen edhe mungesat. Unë mendoj se këto mungesa nuk do të ndikojnë. Jam i bindur te grupi që kam në dispozicion, pasi ata që do të luajnë do të japin më të mirën.
Çfarë do t’i thonit kolegut tuaj holandez në pankinën e Shqipërisë?
Ari Hanin e kam mik, por nesër (sot) për 90 minuta do të jemi armiq. Gjithsesi, të mos harrojmë se ekipi që unë drejtoj i ka shënuar Shqipërisë dy gola në ndeshjen e parë. Që prej asaj ndeshjeje, ekipi i mikut tim, Han, nuk pëson më gol. Shpresoj ta mund Hanin përsëri.
Hushti-Lalës: Fitoj unë!
I qeshur dhe shumë i thjeshtë, një nga lojtarët më të mirë të Hungarisë, Slabosh Hushti, ka folur shkurtimisht pas stërvitjes së djeshme, në lidhje me shokun e tij të ngushtë te kombëtarja shqiptare, Altin Lala. Me kapitenin e kuqezinjve, hungarezi ka luajtur për disa vite te Hanoveri, ndërkohë që prej muajit janar, ai është transferuar te rusët e Zenitit. Bastin e parë e fitoi me Lalën, por Hushti kërkon përsëri të mposhtë kapitenin e Shqipërisë. “Do ta mund për herë të dytë Altinin,”- tha buzëgaz mesfushori i talentuar hungarez, duke ia lënë gjithçka sfidës së sotme.