Kumbaro: Gjatë sezonit veror do të ushtrohet kontroll për parandalimin e çmimeve abuzive

Në fjalën e saj për projektligjin mbi aderimin e Republikës së Shqipërisë në “Konventën Kuadër për Etikën në turizëm dhe protokollin opsional të saj”, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se gjatë sezonit veror do të ushtrohet kontroll për të parandaluar abuzimet në territor, në shërbime dhe në çmime.
“Nuk mund të pranohet në parim që abuzimi me çmimet e çadrave e të shezlongeve private të jetë fantazmagorik në plazhet që edhe nëse administrohen përkohësisht nga subjekte private, janë dhe mbeten pronë publike.
Ndërsa ju ftoj të votoni këtë Konventë të etikës në turizëm, nuk mund të mos theksoj se këtë vit nuk do të lejohen ndërtimi i bareve të plazheve pa leje. Gjithashtu nuk do të lidhen kontrata nëse nuk do të sigurohet prania e vrojtuesve të plazhit që shpëtojnë jetë, e po ashtu nuk do të lidhet kontrata nëse subjekti është debitor në tatimet qendrore apo vendore. Do të jemi në monitorim të plotë për të parandaluar abuzimet në territor, në shërbime dhe në çmime”, tha Kubaro.