Në qytetin e rilindur pas tërmetit, ndahen çelësat e apartamenteve të reja në Laç

Në hyrje të lagjes numër 6 në qytetin e Laçit zyrtarë të lartë të pushtetit lokal dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të dëmeve post-tërmet u dhanë banorëve çelësat e shtëpive të reja.
Kryetarja e bashkisë së Kurbinit zonja Majlinda Cara e përshkruan si një çast tepër emocional që për të lidhet me përjetimet e vështira të datës 26 nëntor 2019.
Për shumë nga banorët të cilët marrin çelësat e shtëpive të reja duket e pabesueshme dhe njëkohësisht për ta kjo është si t’a nisësh jetën nga e para, por tashmë në kushte optimale.
Laçi, një qytet industrial i ngritur në fillim të viteve ’60, duket se do të ringrihet sërish nga e para. Lagjia numër 6 do të jetë modeli i qytetit të ardhshëm, i cili do të lartësohet vit pas viti.
Projekti i financuar nga Turqia i cili përfshin 522 apartamente, por edhe njësi tregtare dhe qindra vende parkimi u zhvilluan nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet në Njësinë Administrative Laç në Bashkinë e Kurbinit u realizuan nga kompania Albayrak.
/rtsh/