PD në parlament këmbëngul për aferën korruptive të ndërtimit të inceneratorëve, qeveria kundërshton

Partia Demokratike e opozitës po këmbëngul në atë që ajo e quan afera korruptive të ndërtimit të tre inceneratorëve.
Kreu i saj Lulzim Basha duke folur në seancën parlamentare të së enjtes tha se prej disa vitesh shqiptarët po paguajnë për impiante që nuk funksionojnë. Sipas tij gjithçka ka ndodhur me dijeninë dhe bekimin e kryeministrit Edi Rama.
Por ministrja e marrëdhënieve me parlamentin Elisa Spiropali, nga ana e saj i ka hedhur poshtë akuzat. Ajo tha se qeveria është e vendosur të zbatojë strategjitë e saj për pastrimin e ambientit. Ajo i bëri thirrje SPAK-ut të rihapi dosjet e vjetra të kreut të opozitës Lulzim Basha lidhur me aferën e “Rrugës së Kombit”.
Në debat u përfshi dhe ish-kryeministri Sali Berisha. ai tha se komisioni hetimor për mbetjet nuk përdoret për transparencë por për luftë të brendshme brenda mazhorancës. Në fjalën e tij sot në Kuvend, Berisha u shpreh se ajo që po ndodh në këtë parlament është rast unik në historinë e një parlamenti. “Është tragjike. Këtu përdoret në mënyrën më të papranueshme korrupsioni si mburojë”, u shpreh ai.