Kumbaro: Ndalojmë prodhimin, importimin dhe përdorimin e qeseve plastike! Gjoba të larta për prodhuesit dhe përdoruesit!

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka deklaruar vendosmërine e qeverisë për të ndërmarrë masa që synojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, me qëllim përmirësimin e parametrave të tij, si faktor i rëndësishëm në nxitjen e turizmit në Shqipëri.
Duke folur në mbledhjen e Komisionit të Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, lidhur me ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” të ndryshuar, zonja Kumbaro theksoi se ka kërkuar, “ndalimin e përdorimit, hedhja në treg, prodhimi dhe importimi, apo futja e qeseve plastike në territorin e Shqipërisë, qofshin këto edhe qese plastike të oxo-biodegradueshme”.
Ministrja tha se ligji parashikon shtimin e sanksioneve. Sipas saj, dënohen me gjobë nga 1 milion lekë deri në 1.5 milionë lekë kushdo që fut në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse shumë të lehta, qese plastike mbajtëse të lehta dhe qese plastike të oxodegradueshme dhe oxo-biodegradueshme.
Çdo person që përdor në territorin e Shqipërisë qese plastike mbajtëse shumë të lehta, qese plastike mbajtëse të lehta dhe qese plastike të oxodegradueshme dhe oxo-biodegradueshme, dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.
“Nisma ligjore i bashkohet lëvizjes globale, dhe vjen në linjë me direktivat e BE-së, ku vende të ndryshme që po marrin masa të ndryshme për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike. Masat e ndërmarra synojnë reduktimin e plastikës së dëmshme për një mjedis të pastër që ndihmon në zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit”, deklaroi Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.