Kumbaro: Spektakël kulinarie i gastronomisë shqiptare në ITB Berlin 2025

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025, Shqipëria u prezantua mbrëmjen e djeshme në ceremoninë e hapjes edhe më të mirën e kulinarisë shqiptare.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bashkë me shefin e kuzhinës, Gent Malaveci treguan se të ftuarit shijuan disa prej specialiteteve e delikatesave me shije shqiptare.
“Me magjistarin e kuzhinës, ose njeriun që përgatiti spektaklin e kulinarisë shqiptare për 2800 persona, shefin e kuzhinës Gent Malaveci”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “Gent Malaveci mbrëmë ka bërë një spektakël të paparë. Ju patë shfaqjen e të gjithë skuadrës shqiptare, por të gjithë ata që ishin në sallë, presidentë të turoperatorëve, delegacionet, ministrat, të gjithë ata që janë të interesuar për turizmin shqiqptar panë një tjetër spektakël të bërë nga duart e shef Gentit. Ka gatuar me recetat më të mira dhe të bukura shqiptare. Një spektakël kulinarie i gastronomisë shqiptare”.
Shefi i kuzhinës, Malaveci tha se “ia dolëm. Shumë ngarkesë e madhe po ia arritëm. Kam gatuar për 2800 persona nga 14 pjata secili me shije shqiptare, në total ishin 40 mijë pjata”.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në ITB Berlin synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e tur-operatorëve në stendën e Shqipërisë.
Në fokus të panairit janë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit është dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus është dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë.
/k.s/j.p/