E Diel, 1 Nëntor 2026

Pazari i gjallë dhe jeta në film

Regjisori Joshua Marston nis punën për xhirimin e filmit, një histori shqiptare. I qetë, i duruar, kërkues.


Detaje nga dita e tretë në sheshxhirim dhe përjetimet e protagonistëve në lagjen "Rus" të Shkodrës


Shkodër

"Ju lutem mos kaloni kësaj rruge... po xhirohet një film..." Asistentët dhe ndihmësit në sheshxhirim të regjisorit amerikan Joshua Marston, nuk reshtin tri orë së përsërituri kalimtarëve në tregun e lagjes "Rus", në Shkodër.


U kërkojnë të ecin natyrshëm, të mos shikojnë kamerat, ndërsa ata kuriozë rrinë pa lëvizur në mes të rrugës, qeshin, fjalosen me njëri-tjetrin, ose largohen me përtesë duke i thënë sho-shoqit: "Hajt se janë tu xhiru filma". Një skenë si kjo, që paraqet një pjesë qyteti të papërgatitur, me zhurmë, njerëzit si në jetën e çdo dite, i takon filmit të dytë të gjatë në karrierën e Joshua Marston-it.


Ai duket i qetë, i duruar, studion me kujdes skenën dhe pas çdo duble afrohet tek protagonistja, Rudina (në rol Sindi Laçej), për ta këshilluar si duhet t'i drejtohet shitësit, qëndrimin që duhet të mbajë, si duhet të jetë shprehja e saj dhe ku duhet ta hedhë vështrimin. Këtë paradite të së hënës po xhirojnë një skenë të thjeshtë.


Rudina, 14 vjeçe, po kërkon të marrë cigare kontrabandë. Shitësit në një pikë shumice ushqimoreje i kërkon 5 steka "Marlboro" pa pullë. Dyshues për kërkesën e vajzës, shitësi e largon me vrazhdësi dhe nervozizëm. Ky ton as në zë e as në portret nuk i vjen së brendshmi djalit që është marrë për këtë rol të vogël.


Regjisori këmbëngul disa herë në këtë skenë për të nxjerrë pak inat nga karakteri i amatorit. "Më i egër... reago keq kur ajo të thotë unë i shes... thuaji ik, largohu", thotë me një shqipe simpatike regjisori amerikan. Duket që ai beson se amatorët duhet të jenë pjesë e tablosë së gjallë që kanë përreth.


Për 4 muaj ka kërkuar nëpër shkolla të Shqipërisë Nikun dhe Rudinën. Mes 3000 nxënësve, nga 35 shkolla në veri të vendit, ka vendosur për Tristan Halilajn dhe Sindi Laçejn.


Përkushtimi i Marstonit dukej edhe në gjeste të vogla, tek sistemonte ëmbëlsirat, ushqimet, paketat e cigareve, gazetën në banakun e dyqanit të shitësit, duke tërhequr vëmendjen ndaj detajeve të tjera, në mënyrën si paketohet një produkt, si kthehet restoja dhe çfarë komunikimi zhvillon shitësi me blerësin.


Pas 2 orë xhirimesh, kërkoi të përmbyset skena e xhiruar dhe të shkurtohen dialogët.
Një zonjë që po kalonte aty, kliente e rregullt e dyqanit, u bë befas pjesë e filmit. Nuk mund të mohohet entuziazmi i njerëzve të zakonshëm para kamerës, një ftesë që zor se e refuzojnë.
Sindi dukej që e kishte hequr drojën, duke lëvizur me shkathtësi në vendin ku po xhirohej, e kënaqur që është ajo e zgjedhura për këtë rol.


"Dita e parë ishte shumë emocionuese, me kamerat aty gjithë kohën, njerëzit që flisnin. Pas 2 orëve, ia mora dorën dhe tani nuk e kam problem", tregon Laçej në pushimin mes dy skenave që xhiroheshin atë ditë.


Marstoni e kishte menduar Rudinën një vajzë të freskët, "ujë e sapun" kur i thonë, të njomë e vitale, sytë të gjallë, buzëqeshjen të çiltër. Në prag të adoleshencës ajo duhet të luftojë për t'u bërë e zonja për familjen e saj që po kalon ditë të vështira.


Ajo është e veshur thjesht, bluzë me mëngë të shkurta, pantallona kadife bezhë, e sipër xhuboks portokalli.


"Roli më pëlqen, edhe pse është jashtë personalitetit tim. Unë jam, një tip i shkathët ngaqë jam marrë edhe me sport", tregon Sindi për veten.


Ajo ka dëshirë të tregojë për historinë e Rudinës që jeton në një fshat afër Shkodrës, të na njohë më shumë me përjetimet, realitetin, dramën e saj. "Babai i Rudinës bën një punë të thjeshtë që nuk fiton shumë.


Është një vajzë e ndrojtur, e mbyllur në vete. Kur ndodh një fatkeqësi në familje, ajo detyrohet të marrë në ngarkim punën e të atit, të ndryshojë, të çlirojë botën që kishte ndrydhur brenda vetes dhe të piqet shpejt. Edhe pse është adoleshente, ka përgjegjësi mbi supe".


Filmi


Xhirimet e filmit të Joshua Marston-it, deri tani pa titull, zgjasin dyzet ditë në qytetin e Shkodrës dhe vende përreth. Skenari është shkruar nga Marston dhe producenti shqiptar i filmit, Andamion Murataj. Do të jetë në gjuhën shqipe, interpretojnë aktorë profesionistë dhe jo profesionistë. Aktorë: Refet Abazi (babai, Mark) nga Shkupi, Ilire Vinca Çelaj (nënë Drita) dhe Çun Lajçi (gjyshi Ded) nga Prishtina.


Amatorë: Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Zana Hasa, Esmeralda Gjonlulaj, Elsajed Tallillli. Në rolë të tjerë për karaktere episodike janë shumë që luajnë për herë të parë që janë banorë të Shkodrës dhe që kanë kaluar audicionin shkëlqyeshëm.


Është një bashkëprodhim i shtëpisë filmike shqiptare "Lissus Media" dhe asaj amerikane "Dean Street Production", një nga producentët e të cilit është Paul Mezey i shtëpisë filmike "Journeyman Pictures" (SHBA). Mezey është një producent i suksesshëm i kinemasë indipendente amerikane që ka prodhuar ndër të tjerë filmat e nominuar me Oscar: "Maria Full Of Grace" i Joshua Marstonit dhe "Half Nelson" i Ryan Fleck.


Mbështetje financiare është gjetur edhe nga distributorët e suksesshëm të kinemasë europiane, "Fandango Portobello" (Angli/Itali), prodhues i filmit "Gomorra" të Matteo Garrone-s, fitues i Grand Prix në festivalin e Kanës më 2008.

**************************

Sindi Laçej (Rudina)


Sindi, 14 vjeç, nga Shkodra, është nxënëse në shkollën "Ismail Qemali". Në film ka rolin e Rudinës, një adoleshente e ndrojtur dhe e mbyllur në vete.


Pas një fatkeqësie që ndodh në familje, asaj i duhet të ndryshojë, të bëjë punën e të atit dhe të sillet më e rritur se ç'është.
Në audicionin përfundimtar në shkollën "Ismail Qemali", Laçej u zgjodh mes 10 nxënëseve. "Isha pak e emocionuar se e kam pasur ëndërr dhe nuk ma merrte


mendja kurrë", tregon shkodrania 14-vjeçare, që e pëlqen Rudinën, edhe pse është ndryshe nga ajo, nuk ka droje dhe miqësohet shpejt me të tjerët. Është ndoshta ky lloj afeksioni për rolin, që e bënte Sindin të çlirët dhe të sigurt në vendin e xhirimit.

******************************

Tristan Halilaj (Niku)


Protagonisti tjetër kryesor i filmit, Niku, nuk ishte të hënën në sheshxhirim. Ky rol i është besuar Tristan Halilajt që në fakt është 18, një vit më shumë se personazhi që i ka rënë për pjesë të luajë për herë të parë në jetë. Tristani jeton në Shkodër dhe studion në shkollën "Jordan Misja".


Ditën kur regjisori Joshua Marston dhe producenti e skenaristi Andamion Murataj bënë audicion në shkollën e tij, Halilaj mungonte. Ndoshta një vonesë e tillë, ishte një ogur i mirë për Tristanin, që u zgjodh për rolin e Nikut, nga dhjetëra audicione të zhvilluara në 4 muaj kërkim për filmin. Halilaj interpreton rolin e 17 vjeçarit që i ka ndodhur në tragjedi në familje, i duhet të nxjerrë vetë jetesën e tij.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›