Berisha, Orban: Shqipëria, e rëndësishme për BE-në, zhvillimet e fundit reflektojnë angazhime institucionale në kuadër të integrimit

Hungari, Kryeministri Sali Berisha takon homologun e tij, Viktor Orban
UPDATE- Në vijim të vizitës zyrtare që ka nisur në Hungari, në kuadër të 90 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me vendin tonë, kryeministri Sali Berisha është pritur në një takim sot nga homologu i tij hungarez, Viktor Orban. Në daljen e tyre publike, homologët vlerësuan hapat e Shqipërisë në sektorin e ekonomisë dhe në atë të stabilitetit, të para si mundësi në rrugën e integrimit europian. Duke folur mbi krizën financiare në Europë, Kryeministri hungarez tha se në BE duhen të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor që mund të sjellin një zgjidhje të situatës. “Unë mendoj se në vitet e ardhshme, potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Evropë do të jetë pikërisht nga rajoni i Ballkanit. Kështu që, mendimi im është që, në qoftë se Evropa në të ardhmen do të ecë para, kjo do të ndodhë vetëm sepse ajo do të ketë partnerë potencialë nga ana e vendeve të Ballkanit. Pyetja është se cili do të ishte hapi i parë që duhet të bënim për të rritur ekonominë në Evropë? Për mendimin tim hapi i parë do të ishte që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hynin në Bashkimin Evropian. Prandaj, jo vetëm ne, por edhe Evropa, e ka të rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e Komunitetit Evropian. Shpresoj që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt, pra që Shqipëria të hyjë në BE. Kjo do të ishte një gjë e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për shqiptarët kudo që ata të ndodhen, qoftë brenda kufijve të Shqipërisë, qoftë jashtë tyre”, tha Orban.
Ndërsa kryeministri Sali Berisha u përqendrua gjatë fjalës së tij në marrëdhëniet mes 2 vendeve, 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë si dhe reformat e ndërmarra gjatë qeverisjes së tij.
I pyetur nga gazetarët për procesin integrues të Shqipërisë dhe qëndrimin e opozitës, Orban tha se ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri janë pozitive dhe tregojnë një demokraci të konsoliduar.