E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha po provokon opozitën

 

Aristir Lumezi

“Ne duam shumicën në komisionin parlamentar për të hapur kutitë e votimit”. Pak orë pas deklaratave të kryeministrit Berisha për të pranuar kërkesën e opozitës për të patur shumicën në komisionin parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, duke shtuar se kutitë e votimit nuk mund të hapen, kreu socialist Edi Rama i ka konsideruar këto deklarata si provokime të ulëta nga ana e kryeministrit, ndërsa ka nënvizuar se PS-ja kërkon shumicën në komision për të zbardhur të vërtetën e zgjedhjeve, që sipas tyre fshihet në kutitë e votimit. “Berisha e di mirë se në ato kuti fshihet krimi i tij elektoral, fshihet manipulimi i tij me kartat pasaportat dhe listat e zgjedhësve”, u shpreh Rama dje nga selia rozë në orët e pasdites. “Qëndrimi ynë është i qartë, është transparent, është i prerë: Nuk hymë në Parlament nëse nuk merren parasysh kushtet tona. Këtë qëndrim e kemi bërë të qartë dhe do ta komunikojmë vijimësisht me publikun shqiptar, me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, si një qëndrim i domosdoshëm për të patur një demokraci që të jetë e qëndrueshme dhe jo një demokraci që të rrëshqasë përditë në zullumin e një pushteti që do të zëvendësojë shtetin me vetveten dhe do të zëvendësojë zgjedhjet me një skemë ku pushteti numëron, pavarësisht se si voton qytetari”, u shpreh Rama. Duke i dhënë përgjigje deklaratave të kryeministrit Berisha, kreu socialist theksoi se deklaratat e kryeministrit, të konsideruara të papranueshme nga ana e tij, e shtojnë edhe më shumë masën e arsyes pse nesër në orën 5 qytetarët duhet të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër asaj që socialistët e quajnë “krim elektoral i 28 qershorit”. “Jam këtu pasi u informova për provokimin e radhës të Kryeministrit Sali Berisha. Një provokim i ulët dhe i papranueshëm, gjë që e shton edhe më shumë masën e arsyes pse nesër në orën 17:00, qytetarët duhet të bashkohen në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, për të protestuar kundër këtij Kryeministri dhe kundër pushtetit të tij të vjedhur. Sali Berisha thotë se është gati të na japë shumicën, por jo të drejtën për të vendosur për objektin e hetimit. Ndërkohë që objekti i hetimit të komisionit parlamentar nuk mund të kufizohet për asnjë çështje dhe në rastin konkret nuk mund të përcaktohet nga vullneti i Sali Berishës dhe i shumicës së tij në Parlament, që buron jo nga vullneti i shumicës, por nga votat e grabitura të tyre”, u shpreh kreu socialist. Rama konsideron se pushteti, sipas tij, “pa legjitimitet i Berishës” i ka mohuar opozitës një të drejtë ligjore për të hapur kutitë e votimit, duke nënvizuar se kjo padrejtësi është vulosur nga një komision zgjedhor dhe Kolegj Elektoral të gjunjëzuar nga qeveria. Duke iu përgjigjur dhe pikës më të nxehtë të deklaratës së kryeministrit, sipas të cilit komisioni hetimor s’mund të dalë mbi vendimin e gjykatave, Rama tha se objekti i këtij hetimi do të jetë zbardhja e masakrës elektorale. “Ne nuk duam të dalim mbi drejtësinë dhe as të zëvendësojmë Prokurorinë, por duam të bëjmë detyrën tonë, duke rivendosur drejtësinë përmes ushtrimit të së drejtës për të nxjerrë në dritën e diellit atë që Sali Berisha mban peng në terrin e kutive të mbyllura, që nuk pranon të hapen”, tha Rama. Sipas tij, komisioni hetimor parlamentar nuk është një shkallë tjetër gjykimi. Pra, nuk ka të bëjë fare me asnjë mbivendosje në sistemin e hierarkisë të drejtësisë. “Komisioni parlamentar hetimor është një trupë që e ka themelin e vet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe që deputetët e ngrenë për një çështje të caktuar, për të hedhur dritë mbi zullumet, dhe për këtë zullum të zullumeve dhe pastaj për të dalë me propozime konkrete për përmirësime ligjore, me referenca konkrete për organin e akuzës dhe për t’i dhënë një pamje të qartë publikut lidhur me çka hetojmë”, u shpreh kreu socialist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›