E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kume: Votim elektronik dhe lexim magnetik i kartës

Debati Deputeti socialist, Gjiknuri: Të zgjidhet problemi i tanishëm që ka të bëjë me zgjedhjet e 28 qershorit

Përdorimi i teknologjisë në procesin elektoral në Shqipëri ka gjasë të mbyllë më shpejt se herët e tjera debatin e afërt për Kodin e ri Zgjedhor. Propozimet e fundit të Kryeministrit Sali Berisha për votim elektronik, që pason monitorimin me kamera në vitin 2009, ka hapur një parantezë që përcakton ecurinë e mëtejshme të diskutimeve ligjore. Jo vetëm pse i përgjigjet nevojës për korrigjim të mangësive të vëna re më 28 qershor, por se ajo mbyll përfundimisht edhe mundësinë e debateve pa fund që kanë të bëjnë me numërimin dhe rinumërimin e fletëve të votimit. Thënë ndryshe, çështja e kutive mbyllet njëherë e mirë për arsye praktike.

Kume

Një sqarim teknik të idesë së Berishës e ka bërë dje ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i cili në një prononcim televiziv ka shpjeguar efektet e një mase të tillë. “Të mos votohet me fletë votimi, por të klikohet në ekran. Procesi nuk prodhon fletë votimi të mbyllura në kuti, që hapen dhe rinumërohen, as procesverbale dhe tabela të rezultateve zgjedhore dhe e gjitha ka mbetet si suport informatik printohet. Ai zvogëlon administratën dhe nxjerr si të panevojshëm komisionerët politikë”, u shpreh ish-kreu i KQZ. Përshtypja e para që krijohen pas kësaj ideje është pikësëpari eliminimi thuajse i plotë i logjistikës elektorale. Nga ana tjetër, kjo masë e zhvendos përgjegjësinë ligjore për numërimin drejt instancave kryesore që drejtojnë procesin. Por sipas Kumes, dixhitalizimi i zgjedhjeve ofron mundësi edhe për shmangien e votimit shumëfish. “Momenti i dytë që duhet të zgjidhet është identifikimi i zgjedhësve. Lexuesi manjetik do mjaftonte të lexonte kartën. I njëjti person që mendon se mund të votojë 10 herë s’mund ta bëjë më, pasi për këtë nuk duhet hequr boja në gisht”, u shpreh ai.

PS

Përkundrejt propozimeve që vijnë nga shumica e djathtë, qëndrimet e opozitës socialiste vijojnë t’i përmbahen axhendës politike që ka në vëmendje menaxhimin e krizës së tanishme. “Të zgjidhet problemi i tanishëm që ka të bëjë me zgjedhjet e 28 qershorit, pastaj të diskutohet për reformën e re zgjedhore”, deklaroi deputeti Damian Gjiknuri. Ai ka ritheksuar se angazhimi aktual i Partisë Socialiste nuk mund të nënrenditet në funksion të reformës për zgjedhjet e ardhshme, për shkak të rëndësisë që ka nxjerrja e përgjegjësive për 28 qershorin 2009. Thënë ndryshe, sugjerimet dhe idetë e shumicës nuk duket se do të nxisin qëndrime zyrtare nga ana e opozitës nëse konfrontimi i deritanishëm politik nuk zgjidhet me një marrëveshje që merr në konsideratë kërkesat e parashtruara nga socialistët.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›