E Diel, 1 Nëntor 2026

Saranda, shtatë buxhete konsensuale

Përvoja

Edhe buxheti i vitit 2010 për Bashkinë e Sarandës mori votën pro të të gjithë të zgjedhurve këshilltarë në këshillin bashkiak. Ky është buxheti i shtatë që ndodh kështu, duke e kthyer këtë në dukuri që jo kudo e gjen. Sigurisht që punët nuk ecin “vaj” dhe asnjë “po” nuk thuhet pa kaluar ajo në filtrin e analizës së asaj që nuk është realizuar apo të asaj që planifikohet me rezerva ose duke i nxjerrë këmbët përtej “jorganit” të buxhetit. Vetëm pas kësaj, projekti i buxheteve që ka paraqitur bashkia ka bindur se është me ambicien për ta vënë në shërbim të zhvillimit të qytetit sipas pretendimit për ta mbajtur atë në hierarkinë e turizmit shqiptar.

Për shkak të tiparit kryesor dallues, që lidhet me planifikim në ulje të shpenzimeve, përballë të ardhurave lokale të planifikuara në rritje dhe për arsyen se treguesit mbështesin prioritetet e zhvillimit, prej vitit 2004 e deri në buxhetin e sivjetshëm, janë votuar me unanimitet të plotë. Aq sa ky tashmë përbën “fenomenin Saranda”, përballë të cilit ka njerëz që çështjen e shtrojnë në mënyrë dyshuese nëse ka apo nuk ka opozitë në Sarandë. E vërteta është që ka dhe opozitë, por “kursi” dhe kënaqësia e saj nuk janë te sajimi i situatave bllokuese apo në vënien e kushteve shtrënguese, për të provuar se janë në një linjë me lidershipët e partive që përfaqësojnë në këshill. Këshilltarët opozitarë të Sarandës nuk janë as “yesmen”-ë të bindur, por as mohues jashtë arsyes. Të majtë e të djathtë harrojnë “ngjyrat” e partive, kur fjala është për të mbrojtur dhe zhvilluar “ngjyrat” e Sarandës si qytet që të sotmen dhe të ardhmen e ka te suksesi i menaxhimit të vlerave të saj turistike dhe njerëzore.

Nëse nuk do të ishte kështu, nuk mund të ndodhte kapërcimi i madh brenda pak vitesh, kur nga 52 mijë turistë që priste më 2004, të regjistronte më shumë se 400 mijë në verën e vitit 2009.
Mendojmë se analiza e “fenomenit Saranda” ka vlerë të shihet në dy plane, që përfaqësojnë një eksperiencë më vete. Produkti i marrë është bashkim i angazhimit dhe përpjekjeve të bashkërenduara mes kryebashkiakut e administratës në shërbim të tij dhe këshillit bashkiak. Në krye të një stafi të kualifikuar dhe profesionistësh, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka është bërë nxitës i përpunimit të ideve zhvillimore për qytetin dhe i realizimit të tyre.

Kontaktet e forta e të vazhdueshme me komunitetin nga njëra anë dhe këshillimi me anëtarët e këshillit bashkiak, jo vetëm në mbledhjet mujore, e ndihmojnë atë që zgjidhjet të vijnë përmes planifikimit dhe jo spontanitetit dhe në realizimin e asaj që planifikohet të vërë në punë “administratën” e bashkisë. Një anë e fortë e veprimtarisë së suksesshme si kryetar bashkie, Gjoka, ka lidhjet e ngushta dhe raportet institucionale me pushtetin qendror, ku ka prezantuar me shqetësim dhe vizion problematikat që lidhen me zhvillimin e qytetit dhe zgjidhjet që pret komunitetin. Janë këto e të tjera cilësi të kryebashkiakut Gjoka, që e kanë bërë atë të votuar në dy legjislatura. Nën drejtimin e tij, jo vetëm stafi i ngushtë, por në një vështrim më tërësor, administrata është e motivuar në përballjen me sfidat e zhvillimit dhe të rritjes cilësore të qytetit të turizmit.

Moment shumë i vlerësuar nga administrata është ai i aplikimeve për projekte, të cilat zgjidhin probleme madhore të qytetit dhe nxitin ritme të larta zhvillimi. Për vitin 2010, përjashtuar objektet në vazhdim, është aplikuar për investim në 13 projekte, që kapin vlerën 1,5 miliardë lekë, të prezantuara për t’u mbështetur nga fondi për zhvillimin rajonal. Bashkia e Sarandës ka të gatshme projekte me vlerë rreth 100 milionë dollarë.

Buxheti i ri mori votë konsensuale edhe për arsye se ai shtrihet, prek dhe mbështet të gjithë sektorët ekonomikë e socialë të bashkisë, pavarësisht nga kontributet në drejtim të krijimit të të ardhurave, përfshirë edhe arsimin. Pavarësisht nga mungesa e detyrimeve ligjore, në këtë fushë financohen për çdo vit rreth 10% të buxhetit. Ndërkohë, investimi për sportet ka çuar në krijimin e kushteve komode për zhvillimin e tyre, falë ndërtimit të terreneve sportive. Po kështu, mbështetja financiare për sektorin e kulturës ka krijuar kushte për të pasur aktivitete gjithëvjetore e në mënyre të veçantë gjatë sezonit turistik, pasi investimet në këtë fushë zënë 13% të buxhetit. Në drejtim të zonave rurale, që janë pjesë e territorit administrativ të Bashkisë së Sarandës, janë financuar 25% e burimeve të veta, kryesisht në drejtim të infrastrukturës dhe mbështetjes së prodhimit bujqësor, duke u krijuar kushte fermerëve për rritjen e prodhimeve të tyre.

Pavarësisht nga përkatësia politike e këshilltarëve që bëjnë pjesë në “parlamentin” lokal të Sarandës, është e dallueshme se këshilli bashkiak përbëhet nga vendimmarrës të përgjegjshëm dhe me ndjeshmëri ndaj problematikave që ngre komuniteti. Ata bindin se ndiejnë përgjegjësi për drejtimin dhe ritmet e zhvillimit të qytetit, me dëshirën që ai të bëhet sa më atraktiv me kushte sa më cilësore si destinacion turistik. Në momentin e hartimit të buxhetit, këshilltarët kërkojnë shpjegime dhe argumente profesionistësh nga administrata lidhur me shifrat që propozohen për t’u përfshirë në plan. Ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe me shumë vlerë i punës së këshilltarëve, që mundëson t’u paraprihet në kohë problemeve.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak për miratimin e buxhetit, është një moment nga më të vlerësuarit, si nga këshilltarët, ashtu edhe nga administrata e bashkisë, e cila përgatitet maksimalisht për ta paraqitur buxhetin sa më të argumentuar deri në detaj, të kuptueshëm dhe bindës për këshilltarët dhe publikun e ftuar. Ashtu dhe diskutimet, mendimet dhe opsionet e këshilltarëve sqarojnë dhe pasurojnë më shumë vlerat e buxhetit, të cilat shpesh e shoqërojnë si parakusht dhënien e votës nga ana e tyre. Pas kësaj vjen miratimi me konsensus dhe çdo opsion i mbajtur shënim dhe i vlerësuar me votë prej tyre, reflektohet nga administrata e bashkisë në projektin e kthyer në buxhet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›