Miratohet në mbledhjen e katërt buxheti i bashkisë
Ka përfunduar maratona e miratimit të projektbuxhetit të bashkisë në qytetin e Beratit. Pas tri mbledhjesh të dështuara, këshilltarët e të gjitha forcave politike kanë votuar unanimisht pro miratimit të paketës së buxhetit 2010. Në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak, që është zhvilluar mesditën e djeshme, kanë marrë pjesë 33 nga 35 këshilltarët e këshillit bashkiak. Që në nisje të procesit të votimit këshilltarët e djathtë dhe ata të LSI-së, të cilët u bënë shkak për dështimin e mbledhjeve të mëparshme, kërkuan informacion për ndryshimet e bëra në ndarjen në zëra të këtij projektbuxheti. Sapo janë informuar se ndryshimet në shpërndarjen e buxhetit ishin bërë dhe në dokumentacionin e paraqitur për këshilltarët ishin publikuar ndryshimet e bëra në ndarjen në zëra, procesi për miratimin e buxhetit ka kaluar në votim. 33 këshilltarët që ishin të pranishëm në sallë votuan pro miratimit të buxhetit. Miratimi i projektbuxhetit në Bashkinë e Beratit kaloi në një maratonë të vërtetë, pasi u desh që mbledhjet për miratimin e tij të dështonin tri herë, dy herë nga të cilat mbledhjet u shtynë për mungesë informacioni, ndërsa një herë procesi për votimin e buxhetit u rrëzua pas bashkimit të votave mes këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së.
#