E Diel, 1 Nëntor 2026

Kume: Zëvendësimi i deputetëve mund të nisë që tani

Ish–kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Krisaq Kume deklaron se Kuvendit i lind e drejta që sot t’i kërkojë KQZ-së, të nisë procedurat për zëvendësimin e deputetëve, të cilët nuk kanë bërë betimin pas mandatit të fituar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Duke iu referuar Kushtetutës, zoti Kume shpjegon se afati 6-mujor i djegies së mandatit të deputetit për shkak të mosparaqitjes në Kuvend është efektiv vetëm në rastet kur ky i fundit pasi i është nënshtruar verifikimit nga komisioni i posaçëm i verifikimit të mandateve, ka bërë gjithashtu dhe betimin në parlament.
Kristaq Kume “Në qoftë se deputeti nuk bën betimin, ai efektivisht nuk është deputet dhe nëse do të respektojmë ligjin, menjëherë mund të fillojnë procedurat për zëvendësimin e tij.”
Në një situatë kur deputetët socialistë ende s’e kanë bërë betimin në parlamet, kryeparlamentarja Topalli deklaroi pak ditë më parë se do t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në respekt të plotë të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit për t’i dhënë zgjidhje këtij handikapi që mban jashtë dyerve të legjislativit deputetët e kryesuar nga Edi Rama.
Dhe duke ju referuar librit themeltar të shtetit në nenin 71 të tij, vetë kreu i KQZ-së Arben Ristani ka sqaruar se Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës dhe mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njejtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.
Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, e njejta procedure vazhdon deri në shterimin e listës së kandidateve të së njejtës parti politike, e më pas deri tek kandidatët e partive të koalicionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›