Kundër qumështarëve
Nuk kanë të ndalur telashet e prodhuesve individualë të qumështit. Përveç çmimit të ulët të shitjes te prodhuesit vendor të bylmetit në Kosovë, tani po sfidohen edhe nga antireklama e kompanisë Tetrapak, e cila rekomandon konsumatorët që të mos blejnë tash e tutje qumështin e shitësve ambulantë. Madje në këto reklama cilësohet si i dëmshëm.
S.G. nga fshati Mramor i Prishtinës është shprehur për ‘Express’ se reklama e emetuar në disa kanale televizive, është diskriminuese.
“Nuk qëndron aspak mesazhi i reklamës se qumështi ynë është johigjenik. Ne jemi të detyruar të shesim në këto kushte dhe deri tani në përvojën tonë, nuk kemi pasur as më të voglin problem me qumështin që e kemi shitur. Përkundrazi, janë shprehur çdoherë mirënjohës për kualitetin e qumështit”, thotë ai.
Mirëpo në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, rekomandojnë qumështin e ambalazhuar në tetrapak. Flamur Kadriu, shef i shëndetit publik në AUVK, thotë se mesazhi i reklamës është i mirë dhe përmbajtja e saj është shumë e vërtetë.
“Ne si Agjenci nuk qëndrojmë prapa asaj reklame, por reklama nuk ka asgjë të keqe. Nëse reklama referon ndonjë prodhues të caktuar, atëherë është diçka tjetër”, thotë ai. Sipas tij, qumështi që tregtohet nga shitësit ambulantë bart në vete shumë rreziqe për shëndetin e atyre që e konsumojnë. Kadriu thotë se tashmë është vërtetuar se një qumësht i shitur në shishe plastike dhe i ekspozuar diellit nuk mund të jetë gjithaq i ushqyeshëm, por as higjenik.
Ndërsa praktika e vlimit të qumështit. e cila sipas konsumatorëve, heq të gjitha dilemat higjienike, për shefin e AUVK-ut, Flamur Kadriu, edhe kjo nuk është metodë e mirë për shkak se përpjekjet për ta sterilizuar nga bakteret qumështi denatyrohet dhe varfërohet nga albuminat si dhe humb proteinat.
“Ne rekomandojmë prodhuesit që qumështin ta çojnë vazhdimisht në qumështore, sepse kjo mënyrë është më e mirë që tregut dhe konsumatorit t’i ofrohet një qumësht më cilësor”, ka thënë ai. Edhe Shoqata e prodhuesve të qumështit të Kosovës është dakorduar me mesazhin e reklamës së emetuar në disa nga stacionet televizive të Kosovës.
Afrim Berisha, anëtar i Bordit të Shoqatës së prodhuesve të qumështit tha se ne e përkrahim idenë e reklamës. Ai thotë se ne si shoqatë nuk jemi sponzorues të kësaj reklame televizive.
“Mirëpo, edhe ne si prodhues u rekomandojmë fshatarëve që ta dorëzojnë qumështin te prodhuesit vendorë”. Ndërsa, sa i përket çmimit të qumështit, sipas tij, ata ofrojnë çmimet më të larta në Evropë, “por mungon mbështetja e Qeverisë për prodhuesit individualë të qumështit”, ka thënë ai.
Edhe pse është herët të flitet për efektet e kësaj fushate, pronari i minimarketit ‘Kulla’ thotë se ai e ka marrë vazhdimisht qumështin e ambalazhuar në shishe të plastikës nga një fshatar i Sllatinës.