E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Qeveria po rrezikon nivelin e cilësisë në arsim

Nga Express më 13 korrik 2011 në ora 12:25

Grupi i ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka vlerëusar se vendimi i Qeverisë që sivjet të regjistrohen mbi 15 mijë studentë në Universitetin e Prishtinës e ka rrezikuar përfundimisht nivelin e cilësisë që ky universitet e ka ruajtur me mund të madh.

Përmes një deklarata që e kanë titulluar “Të gjithë të papunët në UP”, ekspertët e LDK-së thonë se Qeveria edhe pse e ka shpallur cilësinë prioritet, ndërsa Kosovën shtet të dijes, cilësia nëpër shkolla vijon të jetë e vogël dhe Kosova vijon të jetë shteti që për dijen investon më së paku në rajon.

Sipas LDK-së, për dijen e shkencën Qeveria nuk investon aspak. Ajo konsideron se fondet që jepen për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës janë shumë të vogla dhe të papërfillshme dhe se me ato fonde nuk mund të përparohen kërkimet shkencore në UP.

“Me vendimin që në këtë vit akademik Universiteti i Prishtinës të regjistrojë 15 mijë e 503 studentë të rinj, Qeveria ka rrezikuar përfundimisht atë nivel cilësie që ky universitet ka ruajtur me mund të madh. Qeveria nuk ka marrë parasysh fare qëndrimet e Universitetit, gjë e provua dje në mbledhjen e Senatit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga grupi i ekspertëve të LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që Qeveria të zbatojë Strategjinë e Arsimit të Lartë 2005-2015, e cila ka përcaktuar kuotat, si dhe dinamikën e rritje së përfshirjes në studime në raport me numrin e popullsisë, për të arritur kuotat evropiane pa dëmtuar cilësinë.

Madje, LDK ia rikujton Qeverisë se cilësia në të gjitha nivelet e arsimit është një mision dhe detyrë e përhershme e institucioneve, prandaj duhet të punohet sipas strategjive të studiuara me kujdes.

Ndër të tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që Qeveria të mos dëmtojë arsimin e lartë në mungesë politikash për punësimin e të rinjve dhe në mungesë të theksuar të politikave sociale.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›