Kundër shëmtimit të Qendrës Historike të Prizrenit

Mbulimi i vlerave historike të qytetit me reklama biznesi në Prizren ka marrë përmasa shqetësuese, ndërkohë që pushtetit lokal mbetet tërësisht e heshtur, thuhet në një reagim të OJQ Ec Ma Ndryshe, e cila apelon që Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prizren të veprojë fuqishëm në parandalimin e kësaj praktike, sepse mbulimi i fasadave, kulmeve, hyrjeve apo i çfarëdo pjese të ndonjë monumenti të trashëgimisë kulturore është veprim i kundërligjshëm.
“Konkretisht, këto veprime sanksionohen edhe me Planin e Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit, me Ligjin për Trashëgimi Kulturore, me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagim.
EC Ma Ndryshe i bën thirrje Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prizren që të jetë i vendosur në parandalimin e këtyre veprimeve, ndërsa nga pushteti lokal ndëshkimin e bizneseve që nuk po i përfillin ligjet e trashëgimisë kulturore dhe masa të menjëhershme për largimin e të gjitha panove e pllakateve reklamuese.