Berluskoni: Heqje e shpejtë e vizave, statusi për në BE, brenda tetorit
Kryeministri Berluskoni është konfirmuar dje si një mik i sinqertë i kryeministrit Berisha dhe aleat i madh i Shqipërisë, në rrugën e integrimit në Evropë. Konfirmohet heqja e shpejtë e vizave për qytetarët shqiptarë si dhe lobingu për marrjen e statusit të kandidatit brenda tetorit të këtij vitiKryeministri italian: Ndërprerja e bojkotit, në interes të socialistëve, por edhe të reformave të venditKryeministri italian Silvio Berluskoni reagon ndaj precedentit politik të opozitës shqiptare, e cila prej afro 6 muajsh nuk ka marrë pjesë në asnjë prej punimeve të legjislaturës së XVIII të Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Duke iu bashkangjitur reagimit të ashpër dhe të drejtë të ndërkombëtarëve, për situatën politike në Shqipëri, Berluskoni u shpreh se nuk mund të justifikohet bojkotimi i parlamentit, pasi në themel cenohet demokracia dhe stabiliteti demokratik. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Sali Berisha, i cili ndodhet në Romë për një vizitë zyrtare, Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë i ka bërë apel Partisë Socialiste të respektojë institucionet pasi në demokraci, i vlefshëm është vetëm dialogu brenda institucioneve. “Folëm me Berishën përveç të tjerash dhe për situatën politike. Sinqerisht ju them se kam pasur rastin që të flas në Parlamentin shqiptar në momentin e një kontrasti shumë të madh kur socialistët ishin në pushtet dhe Berisha në opozitë. Unë jam i mendimit se Parlamenti nuk duhet të bojkotohet, pavarësisht kontestimeve që mund të kesh. Opozita duhet ta luajë rolin e saj brenda institucioneve. I bëj apel të sinqertë opozitës shqiptare, të shkojë në Parlament. S’mund të ketë demokraci të vlefshme nëse s’ka dialog parlamentar”, u shpreh kryeministri italian, Berluskoni.Nga ana e tij, kryeministri Berisha është shprehur i gatshëm në çfarëdolloj negocimi, për të zgjidhur ngërçin politik, mjafton që të mos preket ligji dhe kushtetuta. “Folëm me Berluskonin për situatën e çuditshme që ekziston. Kemi një opozitë që pranon rezultatin e zgjedhjeve, por nuk hynë në parlament. Monitoruesit ndërkombëtarë janë shprehur të gjithë se nuk kanë hasur në prova që të tregojnë se ka pasur problem me numërimin e votës popullore ndërsa kanë pranuar se zgjedhjet e qershorit kanë qenë zgjedhjet më të mira dhe me standardet më të mira të zhvilluara ndonjëherë. Pavarësisht kësaj situate, unë premtoj se do punoj me durim. Do bëj gjithçka brenda mundësive, për të gjetur një zgjidhje, jam njeri i kompromiseve dhe lëshimesh. Do bëj gjithçka t’i jap fund kësaj situate”, deklaroi kryeministri shqiptar Sali Berisha. Kryeministri italian Berluskoni garantoi homologun e tij shqiptar Berisha për procesin e liberalizimit të vizave dhe njëherazi edhe statusin e vendit kandidat jo më larg se brenda tetorit të këtij viti. “Mendoj se ne mund t’i garantojmë Shqipërisë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur dhe mendoj se brenda tetorit të këtij viti do t’i garantojmë Shqipërisë edhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Ky udhëtim i Shqipërisë është një udhëtim që bëhet bashkë me vendet e tjera. Unë jam takuar kohët e fundit edhe me autoritetet e Serbisë, të Malit të Zi dhe këtë javë pata edhe një takim me Kryeministrin e Kroacisë. Ballkanit në Evropë mund t’i gjendet zgjidhja përfundimtare dhe duhet hequr dorë nga fenomenet negative, pra, për të përdorur këtë eufemizëm që ne të mund t’i largohemi atyre fenomeneve negative. Pra, t’i japim fund atyre dallimeve, kontrasteve etnike dhe politike që kanë bërë që Ballkani të jetë një vend me rrezik. Unë e them këtë, sepse dje në takimin e Këshillit të Evropës ne të gjithë kishim vullnetin që të përshpejtojmë këto ritme, në mënyrë që të gjitha vendet e Ballkanit të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, deklaroi Berluskoni.Kryeministri Berisha shtoi në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me Berluskonin, reformat, intensifikimin e luftës kundër krimit dhe revolucionin e thellë fiskal të qeverisë që ai drejton. Në këtë drejtim, Berisha u shpreh se projekti themelor i Shqipërisë, është integrimi evropian. “Italia është mbështetësi më i madh i kësaj ëndrre shqiptare drejt Evropës. Qeveria ime punon në mënyrë serioze, duke bërë çdo reformë dhe çdo praktikë që është e nevojshme për integrimin evropian. Italia na ka dhanë dhe po na jep një ndihmë të madhe. Për ketë ne i jemi shumë mirënjohës. Për sa i përket vizave, ky është një problem konceptual shumë i rëndësishëm. Prej shumë e shumë vitesh shqiptarët presin të lëvizin në hapësirën evropiane. Miku im Silvio Berluskoni më premtoi se Fratini dhe gjithë qeveria do të bëjnë më të mirën e mundshme që ky moment të vijë sa më shpejt. Ne vendosëm moratoriumin kundër skafeve dhe i thashë Kryeministrit Berluskoni se gjatë gjithë kohës që unë do të jem në qeveri ky Moratorium do të jetë në fuqi. Unë nuk dua që shqiptarët të vdesin në Otranto dhe nuk dua që të ketë fluks emigrantësh në Itali. Ky Moratorium ka dhënë rezultate shumë të mira. Edhe ligji i Antimafies është i standardeve më të mira. Kemi një bashkëpunim model sa i përket luftës kundër kriminalitetit dhe trafiqeve”, u shpreh ndër të tjera, kryeministri Berisha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me homologun e tij italian, Silvio Berluskoni....