E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti i domosdoshëm

Politologu holandez, Arendt Lijphart, i ka klasifikuar sistemet demokratike në katër tipa kryesorë, duke marrë parasysh vektorët e elitës politike dhe kulturës së përgjithshme shoqërore dhe politike.

Sipas Lijphartit, elita politike mund të jetë ose kompetitive ose e bashkuar, ndërsa kultura politike dhe shoqërore mund të jetë ose homogjene ose e fragmentarizuar. Shqipëria si mund të klasifikohet në këtë panoramë tipologjike?

Duke parë zhvillimet politike të këtyre 20 viteve të fundit, mund të thuhet me një nivel të lartë konfidence se kemi të bëjmë me një elitë politike skajshmërisht të copëzuar.

Kjo të paktën formalisht, duke parë antagonizmin e vazhdueshëm politik që është bërë pjesë rutinore e ekzistencës së aktorëve politikë dhe shkallën pak a shumë konstante të agresivitetit në sjelljen politike të palëve kundërshtarë. Por, vetëm formalisht, pasi shpesh ka pasur detanta të herëpashershme mes krahëve.

Gjithashtu ka studiues të tjerë, sikundër Shinasi Rama, të cilët vënë theksin se elita politike në Tiranë është përgjithësisht homogjene, duke iu referuar me eufemizmin "Paria e Tiranës" dhe përjashtojnë nuancat dalluese, duke i konsideruar si të papërfillshme.

Të tjerë kanë vënë theksin te njëtrajtshmëria ideologjike e cila nxit një antagonizëm formal ad hominem ku nuk mungojnë sulmet personale, individualizmi dhe egoizmi politik dhe nxitja e një gjuhe të ashpër, antagoniste, si mjeti i vetëm për mobilizim dhe shtrëngim të radhëve në mungesë të platformave të qarta programore dhe qeverisëse.

E thënë me fjalë të tjera, duke qenë se diferenca ideologjike sa vjen e ngushtohet dhe programet e partive majta-djathtas ngjajnë si dy pika ujë, nuk ngelet gjë tjetër veç radikalizimit të retorikës politike për të mbajtur gjallë shpirtin militantesk politik në aradhen përkatëse.

Një element tjetër që mund të ndihmojë të kuptojmë sesa konkurruese është klasa politike në përgjithësi, është edhe stabiliteti politik.

Ky është një term pak a shumë abstrakt por në rastin konkret i referohet jetëgjatësisë së një force të caktuar politike në pushtet dhe rotacionit nëpërmjet zgjedhjeve. Italia është klasifikuar si një vend me klasë politike kompetitive kryesisht për shkak të zgjedhjeve të shpeshta parlamentare, koalicioneve të paqëndrueshme dhe aleancave të brishta mes aktorëve politikë.

Por Britania e Madhe ndonëse ka një sistem krejt tjetër zgjedhor, por edhe stabilitet mjaft më të qëndrueshëm përsa i përket rotacioneve të pushtetit, gjithashtu konsiderohet të jetë në këtë kategori përsa i përket konkueshmërisë politike. Arsyeja kryesore në këtë rast është diferenca ideologjike mes konservatorëve, laburistëve dhe liberalëve.

Në rastin shqiptar, përgjithësisht ka patur qëndrueshmëri të forcave politike që kanë fituar zgjedhje parlamentare të përgjithshme dhe ndonëse ka patur riformatime jo të rralla të kabineteve qeveritarë kjo ka ndodhur kryesisht brenda llojit dhe rrallëherë kemi patur të bëjmë me zgjedhje të parakohshme.

Gjithashtu diferenca ideologjike mes partive, e reflektuar qoftë në programet respektive, ashtu dhe në qeverisjen konkrete, është aq e ngushtë sa nuk mund të hiqen kurrsesi paralele me rastin anglez apo të ngjashëm.

Parë në këtë këndvshtrim, mund ose të themi që rasti shqiptar nuk mund të bjerë nën kategorizimin kompetitiv përsa i përket klasës politike për shkak të mos-ngjashmërisë me rastin anglez apo italian, por mund edhe të biem dakord që është pikërisht në këtë kategori, pavarësisht se arsyet këtu janë paksa të ndryshme.

Kompetitiviteti jo vetëm që ekziston por është edhe i skajshëm dhe kjo për arsye jo ideologjike, as sistemike, por për shkak të debatit të personalizuar të aktorëve dhe vektorëve politikë, të cilët e shohin si të vetmen rrugë për mobilizim dhe kompaktësi brenda rradhëve dhe kësisoj ruajnë dhe monopolin e ligjërimit publik.

Ndërsa përsa i përket shoqërisë në përgjithësi ajo është përgjithësisht homogjene, pa nëndarje etnike dhe me ndasi fetare që nuk luajnë ndonjë rol për shkak të arsyeve historike, kulturore etj. Ngelet vetëm diskrepanca ekonomike e cila luan një rol jo të vogël në stratifikimin social-kulturor por edhe kulturën e përgjithshme politike.

Kuptohet nëse ky polarizimi ekonomik do thellohej duke mos lejuar krijimin e një mase kritike të shtyllëz kurrizore të shoqërisë, pra shtresës së mesme, mund të kishte rrjedhoja fatale në terma afatgjatë, por për momentin duket se sfida kryesore është arritja e një konsensusi themeltar apo pakti politik të qëndrueshëm mbi baza racionale dhe prerogativa të qarta, për të krijuar infrastrukturën demokratizuese të vendit.

Është e vetmja mënyrë që kontestime të ardhshme të kësaj natyre mos të ndodhin dhe kriteri politik, si kriteri kryesor i Kopenhagenit (ndër tre kriteret e famshme të BE-së), të përmbushet me sukses dhe t`i hap rrugën integrimit të shpejtë të vendit.

Normat, idetë dhe vlerat e komunitetit evropian të cilit synojmë t`i bashkangjitemi duhet që në njëfarë mënyre të infektojnë dhe elitën politike për t`iu bashkangjitur pjesës tjetër të popullatës që duket se është mjaft më përpara në këtë drejtim.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›