Kundërkorrupsioni: Sejdi Rexhepi shkeli ligjin

Agjencia kundër korrupsionit mori vendim se ekziston Konflikti i Interesit në rastin e Sejdi Rexhepi – Prorektor i Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe Kryesues i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
“Bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik është hapur rasti nën dyshimin e bazuar për Konflikt Interesi për zyrtarin e lartë, Sejdi Rexhepi – Prorektor në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe njëkohësisht Kryesues i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës”, ka njoftuar AKK-ja.
Agjencia përmes dokumenteve zyrtare ka konstatuar se Zyrtari i Lartë, Sejdi Rexhepi është Anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës që nga 16 maji 2008, me mandat pesë vjeçar dhe njëkohësisht me datë 01.10.2012, me Vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, është zgjedhur Prorektor për burime dhe infrastrukturë në Universitetin “Hasan Prishtina” të Prishtinës, funksion ky që e sjell në situatë të konflikti të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
“Edhe përkundër afatit të dhënë ligjor nga Agjencia, Zyrtari i Lartë nuk ka ndërmarr asnjë veprim që të parandaloj dhe të shmangë këtë situatë”, thuhet tutje në komunikatën e AKK-së.
Si rrjedhojë Agjencia ka paralajmëruar se do të kërkoj nga institucioni ku zyrtari i lartë ushtron funksionin që të filloj procedurën për shkarkimin e tij, sikurse edhe do të kërkoj fillimin e Procedurës për Kundërvajtje nga Gjykata kompetente gjithnjë duke u bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. /Indeksonline/