E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtimet, Ligji i ri “Për arsimin e lartë” zhvlerëson diplomat e studentëve të vjetër



Jonida Tashi

Diplomat që studentët e diplomuar para vitit 2010 kanë marrë sipas ligjit në fuqi “Për arsimin e lartë” rrezikojnë të kthehen në letra pa vlerë në xhepat e tyre. Kjo është edhe një pikat më të forta të debatit që Universiteti i Tiranës kundërshton në projektligjin e ri, të hartuar nga Ministria e Arsimit “Për arsimin e lartë”. Drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Ervin Demo, shpjegon në vija të përgjithshme, se cilat janë pikat kundërshtuese në projektligjin e ri, që pritet të marrë së shpejti edhe miratimin nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa tashmë ky draft gjendet në tryezën e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, duke pritur firmën e miratimit, universitetet kanë nisur hartimin e një peticioni të përbashkët, në të cilin do të përfshihen të gjitha pikat që kundërshtohen në projektligjin e ri.
Pikat
Drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Ervin Demo, shprehet se megjithëse ende në Ministrinë e Arsimit nuk është dërguar shkresa zyrtare me pikat kundërshtuese të projektligjit të ri, drejtuesit e këtij universiteti i kanë vënë në dijeni ata të Arsimit se nuk janë dakord me të. Lidhur me problemet që drejtuesit e Universitetit të Tiranës kanë konstatuar në draftin e ri të Ministrisë së Arsimit kanë të bëjnë jo vetëm me cenimin e studentëve, por edhe me autonominë e vetë universitetit. “Problemi kryesor që kemi ne si universitet është me ciklin e diplomave. Diplomat e lëshuara sipas ligjit në fuqi ‘Për arsimin e lartë’ nuk janë vlerësuar njëlloj me projektligjin e ri. Kjo do të thotë se zhvlerësohen diplomat e lëshuara me ligjin e vjetër”, - sqaron Demo. Më tej, ai bën të ditur se dy pikat të tjera kundërshtuese, janë edhe ato që kanë të bëjnë me vetë Universitetin e Tiranës. “Sipas projektligjit të ri, preket autonomia e universitetit, pasi universiteti nuk ka të drejtë të miratojë strukturat e tij akademike, statusin e tij etj. Po ashtu, kriteret e konkurseve të pranimit, propozimi për koeficientet e pranimit në universitete janë hequr si e drejtë e universitetit dhe do të miratohen nga Ministria e Arsimit”, - vijon drejtori i Komunikimit. Ndërkaq, kundër projektligjit të ri të Ministrisë së Arsimit, që kërkon t’i lërë universitet pa autonomi, duke i marrë vetë frenat e komandës nga lartë janë ngritur edhe disa përfaqësues të tjerë të botës akademike. Për rrjedhojë, pritet që para miratimit të këtij projektligji nga Këshilli i Ministrave, të kalohet përplasja e universiteteve publike me Ministrinë e Arsimit.
Projektligji
Një javë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke mbajtur në dorë projektligjin e ri të Ministrisë së Arsimit “Për arsimin e lartë”, foli gjatë për këtë draft, duke cilësuar se ndryshimet në këtë ligj janë domosdoshmëri për stadin në të cilin ndodhet sot arsimi. Megjithëse nuk i kishte dëgjuar aspak propozimet e universiteteve, të cilat nuk bën pjesë e hartimit të këtij drafti, Berisha vlerësoi arritjet e Ministrisë së Arsimit. Sipas kreut të qeverisë, përcaktimet e reja ligjore synojnë kristalizimin e disa elementëve thelbësore të reformës së arsimit të lartë, siç është kristalizimi përfundimtar i sistemit “Bachelor”. Më tej, kryeministri shpjegoi se sistemi i masterit do t’u japë studentëve një shans të dytë, mbi bazën e meritës, për të studiuar në degën e dëshiruar. Projektligji i ri që Ministria e Arsimit ka përgatitur për organizimin e studimeve pasuniversitare në universitetet publike të vendit përcakton një sërë ndryshimesh. Sipas draftit të kësaj Ministrie, studimet pasuniversitare do të pësojnë një sërë ndryshimesh, dhe për pasojë në universitete nuk do të ofrohen më mastera të nivelit të parë dhe të dytë, diploma të nivelit të dytë apo diploma të integruara të nivelit të dytë. Këto programe studimi, me përjashtim të Masterit të Nivelit të Dytë, që do të hiqet nga studimet e ciklit të tretë, do të shkrihen në programe të tjera studimi, që do të cilësohen Master i shkencës dhe Master i profesionit. Ndërkaq, sipas projektligjit të ri, pjesë e ndryshimeve do të jenë edhe studimet e ciklit të parë, përsa i përket diplomës që do të lëshohet nga universitetet në përfundim të studimeve. Kështu, sipas projektligjit të ri, të hartuar nga MASH-i, në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë do të lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer. Ndërsa sipas ligjit në fuqi “Për Arsimin e Lartë”, në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet Diplomë e Nivelit të Parë (DNP) në fushën e arsimimit të kryer.

Vizita
Universiteti i Tiranës vendos ura bashkëpunimi me Arabinë Saudite

Delegacioni i Parlamentit të Arabisë Saudite, i drejtuar nga kryetari i Komitetit të Miqësisë Arabi Saudite - Shqipëri, dr.Muhammed bin Sa`ad Alsalim vizitoi dje në mesditë Rektoratin e Universitetit të Tiranës, ku u prit nga rektori, Dhori Kule. Delegacioni i përbërë nga 7 prej 150 deputetëve të Parlamentit saudit zhvilloi një takim me rektorin Kule e më pas kryetari i delegacionit Alsalim mbajti një referim mbi Arabinë Saudite, funksionimin e parlamentit saudit dhe arsimin e lartë në Arabi. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, përshëndeti vizitën e këtij delegacioni të nivelit të lartë dhe falënderoi Arabinë Saudite për ndihmën ekonomike që i ka dhënë Shqipërisë, përfshi këtu edhe investimin në filialin e Kukësit, si edhe për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

Cilësia
Universiteti Politeknik mbyll akreditimin e brendshëm
Universiteti Politeknik i Tiranës është në fazën e mbylljes së procesit të akreditimit të brendshëm, ndërkohë që në muajin qershor do të dorëzohet një dosje për akreditimin e jashtëm. Lajmi bëhet i ditur nga drejtoresha e Qendrës së Sigurisë së Brendshme të Cilësisë pranë Universitetit Politeknik, Elinda Kajo. “Ne kemi filluar në mars procesin e akreditimit të brendshëm. Periudha mars-maj është periudha e realizimit të këtij procesi dhe themi që në qershor ne të dërgojmë dosjen pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë”, - tha Kajo. Procesi i akreditimit në muajt e mëparshëm ka “ndezur” debate tek të gjithë aktorët e interesit, në veçanti te studentët dhe njohja e diplomave të tyre nga tregu i punës. Shumica e universiteteve në vend, si publike dhe private, janë në proces akreditimi, madje disa prej tyre kanë kërkuar që ai të zhvillohet nga agjenci të huaja.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›