Vodafone, projekt për kryerjen e analizave për pacientët talasemikë
Fondacioni Vodafone Albania është duke financuar një projekt, i cili mundëson kryerjen e analizave për pacientët talasemikë dhe të afërmit e tyre, me qëllim që individët të informohen mbi situatën e shëndetit të tyre dhe mbi këtë të marrin vendime të shëndetshme për të ardhmen e familjeve të tyre. Në kuadrin e dy ngjarjeve të veçanta që i përkasin datës 8 Maj, respektivisht Ditës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, si dhe Ditës Botërore të Talasemisë, Fondacioni Vodafone Albania, si një prej aktorëve aktivë në përgjigje të nevojave të komunitetit, ka ndihmuar në zhvillimin e një numër aktivitetesh. Në Ditën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Fondacioni Vodafone Albania në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar përuruan në qytetin e Beratit qendrën e re ditore për të moshuarit. Kjo qendër ditore do t’u vijë në ndihmë moshave të treta në nevoje, respektivisht 50 të moshuar me të ardhura ekonomike të pakta dhe pa mbështetje do të mund të kalojnë ditën në këtë qendër. Në këtë qendër do të ofrohet falas ushqim, kujdes shëndetësor, informacione si dhe mundësi të ndryshme për shfrytëzimin e kohës së lirë. Kjo qendër është një prej katër qendrave që do të hapen me mbështetjen e Fondacionit Vodafone Albania, edhe në tri zonat e tjera, përkatësisht në Has, Dibër dhe Gramsh. Me rastin e Ditës Botërore të Talasemisë, më 8 Maj Shoqata Kombëtare e Talasemisë organizoi një takim të veçantë me aktorët, partnerët, anëtarët dhe mbështetësit e saj në qytetin e Lushnjës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone, Albi Greva. Gjatë takimit u vu në pah mbështetja bujare e kompanisë Vodafone Albania, punonjësit e të cilës, për çdo vit organizohen për të dhuruar gjak.
12 Maj 2010