Sektori i ndërtimit në krizë, çmimet e apartamenteve vetëm rritje
Ervin KOÇI
Ndërtimi është sektori që po përjeton krizën më të madhe në ekonominë e vendit, ndërkohë që çmimet e banesave në mënyrë paradoksale vetëm rriten. Edhe pse ka rënie të kërkesës, çmimet nuk u ndalën së rrituri. Të dhënat, tregojnë se rënia vjetore me më shumë se 14 për qind e vitit të kaluar po vazhdon edhe këtë vit. Në 3 muajt e parë të 2010-ës ndërtimi ka qenë përsëri sektori me tkurrjen më të lartë. Sipas shifrave zyrtare, sektori po goditet rëndë nga reduktimi i kërkesës së brendshme. Për pasojë numri i të punësuarve në një vit ka rënë me 14 për qind dhe paga mesatare është ulur me 2 për qind. Por nga ana tjetër edhe pse raportohet një rënie e indeksit të kushtimit në ndërtim, çmimet e banesave vetëm shtrenjtohen. Në tremujorin e parë të 2010-ës banesat janë shtrenjtuar me 16 për qind krahasuar me një vit më parë kur edhe rinisi kjo tendencë. Analizat e çmimeve tregojnë se rreth 40 për qind e këtij shtrenjtimi vjen nga efekti i nënçmimit të lekut ndaj monedhës evropiane. Ndërkohë që duket e qartë tendenca se çmimet e banesave në tremujorin e parë të vitit 2010 janë ndikuar nga një ofertë e kufizuar në treg. Numri i lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja ka shënuar rënie vjetore të ndjeshme. Në vazhdim kushtet e shtrënguara të kreditimit, ngadalësimi i normës së rritjes vjetore të pagave, pritjet pesimiste të konsumatorëve për gjendjen e tyre financiare sinjalizojnë një kërkesë edhe më të ulët për banesa.
Analiza
Sipas BSH-së, analiza e plotë e ecurisë së çmimeve të banesave dhe e faktorëve që e përcaktojnë atë kufizohet nga mungesa e të dhënave për sasinë e transaksioneve të kryera në një tremujor. Sipas BSH-së, ndikim te rritja ka pasur jo pak kursi i këmbimit. Ndërtimi punon në pjesën dërrmuese me euro, e cila gjatë një viti pësoi vlera të larta në raport me lekun. Konkretisht, çmimet e banesave kanë shënuar një rritje vjetore prej 15.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010. “Indeksi i çmimeve të banesave (IÇB) ka shënuar rritje vjetore, duke filluar nga tremujori i parë i vitit 2009. Një pjesë e rritjes së indeksit (përafërsisht 40 për qind) reflekton efektin e nënçmimit të lekut ndaj monedhës europiane”,- vë në dukje raporti i politikës monetare të BSH-së. Zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e parë të vitit 2010 janë ndikuar nga një ofertë e kufizuar në treg. Numri i lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja banimi ka shënuar rënie vjetore gjatë 3 tremujorëve të fundit të vitit 2009. “Kushtet e shtrënguara të kreditimit, ngadalësimi i normës së rritjes vjetore të pagave, krahas pritjeve pesimiste të konsumatorëve për gjendjen e tyre financiare, sinjalizojnë për një kërkesë të ulët për banesa”, analizon BSH-ja. Megjithatë, ballafaqimi i kërkesës me ofertën në këtë treg nuk ka rezultuar në çmime më të ulëta. Nga ana tjetër, indeksi i kushtimit në ndërtim ka ndjekur një prirje rënëse gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit.
Qiraja
Shtrenjtim të shërbimit ka pasur edhe tregu i banesave me qira që nuk mbetet pas me rritjen e çmimeve. Në kushtet kur apartamentet mbeten të larta për t’u blerë, individët shkojnë drejt qirave, duke bërë presion në treg për stimulim të shtrenjtimit. Indeksi i qirasë së banesave është rritur me 2.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010, në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Megjithatë, sipas BSH-së, kjo rritje e indeksit të qirasë pason rënien e tij gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt të vitit 2009. Ndryshimet përkatëse të indeksit në këto periudha ishin -4.4 dhe -15.6 për qind. Indeksi i qirasë u rrit me 21.1 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e kaluar. Raporti i indeksit të çmimeve të shitjes me qiranë e banesave ka rënë në tremujorin e parë të vitit 2010, si pasojë e ndryshimeve tremujore në kahe të ndryshme të çmimeve dhe qirasë së banesave. Ky raport aktualisht qëndron poshtë trendit të tij historik, përfundon analizën BSH-ja.
Agjencitë
Agjencitë e ndërmjetësimit në shit-blerjen e pronave të patundshme, si dhe ekspertët e industrisë së ndërtimit, mendojnë se metodologjia e përdorur nga BSH-ë është e gabuar dhe se çmimet në vend kanë pësuar ulje në krahasim me një vit më parë. BSH grumbullon njoftimet e shitjeve të apartamenteve nëpër gazeta, i konverton çmimet nga euro në lekë dhe pastaj vlerëson se si ka ndryshuar çmimi në qytetin e Tiranës. Vetë banka pranon kufizimet e metodologjisë së saj, e cila duket se mat më së shumti çmimin me të cilin shitësit dëshironin të shisnin, por jo çmimin real të transaksionit. Apartamentet shiten në shumicën dërrmuese në euro në Shqipëri, për shkak se lëndët e para blihen përgjithësisht në këtë monedhë, kreditë për shtëpi jepen masivisht në euro dhe një pjesë e tregut mbahet nga emigrantët, të cilët paguajnë në euro. Shoqata e Ndërtuesve është ankuar vazhdimisht gjatë vitit të fundit për rënie drastike të kërkesës në treg, gjë që ka sjellë në shumë raste bllokim të punimeve në pallatet në ndërtim. Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në të gjithë vendin u ul ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, ndërsa kreditë për shtëpi, të cilat furnizojnë pjesën dërrmuese të kërkesës në treg, u bllokuan për më shumë se një vit. Vetëm gjatë muajit të fundit, bankat kanë filluar t’i rikthehen kreditimit, duke nisur fushata publicitare në kërkim të kandidatëve për blerje apartamentesh.
Shkurt/////////////////////////////////
Interesat
Kostoja e ndërmjetësimit në lekë është ulur gjatë muajve janar-shkurt, duke shënuar vlerën 7.68 pikë përqindjeje, nga 8.31 pikë përqindje në tremujorin e katërt të vitit 2009. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e ndërmjetësimit për monedhën europiane shënoi 5.00 pikë përqindjeje në vlerë mesatare në muajt janar-shkurt, rreth 0.89 pikë përqindjeje më poshtë. Diferenca midis normave të interesit për kreditë në lekë me ato në euro ka vijuar të ketë luhatshmëri të madhe. “Në muajin janar, ajo ka regjistruar rritje prej 0.27 pikë përqindjeje mesatarisht, për t’u ulur me 0.9 pikë përqindjeje në muajin shkurt”, thuhet në raportin e politikës monetare, tremujori i parë 2010.
Kredia
Prirja rënëse e interesit për kredinë në lekë në tremujorin e fundit 2009 ka vazhduar deri në janar 2010. Në muajin shkurt, kreditë në lekë kanë qenë më të shtrenjta të ndikuara nga disa norma të larta për overdraft-e për bizneset. Gjatë muajve janar-shkurt, interesi mesatar i ponderuar për kreditë e reja në lekë ka shënuar vlerën mesatare 13.16 për qind. Kjo vlerë është 0.55 pikë përqindjeje më poshtë se mesatarja e tremujorit të fundit të vitit 2009. Ulja e vlerës mesatare të normës së ponderuar të interesit në monedhën vendase është ndikuar nga rënia e interesit për kreditë afatgjata për pasuri të paluajtshme dhe blerje pajisjesh kryesisht për bizneset, në këtë periudhë.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 10.05.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.33%
12M 12-mujor 7.01%
6M 6-mujor 6.17%
3M 3-mujor 5.38%
1M 1-mujor 5.14%
1Ë njëjavor 4.94%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.64%
1Ë njëjavor 6.18%
o/n njëditor 5.96%
12M 12-mujor 8.80%
6M 6-mujor 7.90%
3M 3-mujor 6.97%
12 Maj 2010