Dashuria, vritet në klasë nxënësja, autori vetëvritet
Artan CENA
ELBASAN – “Me mua deri në vdekje, ose me asnjë tjetër” dhe më pas ka shkrepur pistoletën duke vrarë në mes të klasës vajzën që donte. Tragjedia ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në shkollën e mesme “Mahir Domi” në Elbasan. Ngjarja ka tronditur jo vetëm qytetin e Elbasanit, por të gjithë vendin për mënyrën se si është kryer krimi dhe vendi i tij. Endrit Llambraj ka vrarë 20-vjeçaren Gerta Bahja me tre plumba dhe më pas, disa dhjetëra metra larg vendit të ngjarjes, i gjendur në rrethimin e policisë, i ka dhënë fund jetës duke e drejtuar armën te vetja. Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash dhe ka traumatizuar qindra nxënës dhe mësues. Siç mësohet, vajza e re ka ndërruar jetë gjatë rrugës kur po dërgohej për në spital, nga plagët e rënda që kishte marrë.
Historia
Historia e dashurisë që përfundoi në mënyrën më tragjike kishte nisur që një vit më parë. Takimi i parë dhe i fundit mes të rinjve kishte ndodhur gjatë një ekskursioni të klasës së vajzës nga Elbasani në qytetin e Vlorës, ku ata ishin njohur. Kishte qenë një dashuri me shikim të parë, që më pas ka vazhduar të konsumohet në telefonata të shumta dhe në një marrëdhënie online. Por, kohët e fundit lidhja mes dy të rinjve ishte ftohur. Lidhja e tyre nuk i ka mbijetuar dot largësisë dhe ishte vajza ajo që kishte kërkuar ndarjen. Por kjo gjë duket se e kishte tërbuar të riun nga Vlora, i cili nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Pasi i kishte konsumuar të gjitha kërcënimet me anë të telefonit dhe në mënyra të tjera, ai kishte vendosur që të nisej nga qyteti i tij dhe të mbërrinte në Elbasan, për t’i dhënë fund njëherë e mirë gjithçkaje. Dhe kështu ka bërë. I ardhur në qytet një ditë para krimit ai kishte shkuar në shkollën e së resë, por nuk e kishte gjetur. Kështu ka vendosur që të rrijë dhe një ditë tjetër. Mëngjesin e djeshëm është ngritur dhe ka shkuar sërish te shkolla. Ka hyrë në klasë, por ka parë që po zhvillohej mësim dhe ka dalë sërish. Ka pritur të përfundojë ora e parë e mësimit dhe sërish është futur në ambientet e klasës. Pa folur asnjë fjalë i është drejtuar bankës ku qëndronte vajza që ai donte. Ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tri herë. Plumbat e kanë zënë të renë në kokë dhe në trup. Sapo ka kryer këtë veprim, ai është larguar me vrap nga dhe shkolla.
Vetëvrasja
Menjëherë është dhënë alarmi. Mësuesit e kanë marrë vajzën në gjendje të rëndë dhe e kanë nisur në drejtim të spitalit, por ajo ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Të njoftuar me telefon, dhjetëra forca policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa disa patrulla janë nisur në ndjekje të të riut nga Vlora. Ai është bllokuar në periferi të Elbasanit. I ndodhur nën rrethimin e policisë, pa rrugëdalje dhe i vetëdijshëm për gjëmën që kishte bërë, ai ka marrë një vendim të menjëhershëm. Armën që e mbante në dorë që pas momentit të vrasjes e ka ngritur dhe e ka drejtuar në kokë. Një plumb është shkrehur nga pistoleta e tij, duke i marrë menjëherë jetën. Të kota kanë qenë dhe thirrjet e policisë që të mos e kryente atë veprim, por brenda pak sekondash gjithçka ka marrë fund. Kështu, zia ka pushtuar dy familje dhe shumë miq e shokë të dy të rinjve. Pas hetimeve të para, policia ka bërë të ditur se krimi ka ndodhur për xhelozi.
Plumba dhe drogë në xhepat e Llambrajt
Krimi në shkollë, policia arreston rojën
ELBASAN - Është vënë në pranga roja i shkollës “Mahir Domi”. Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se Naim Tahiraj është vënë në pranga pas zbardhjes së vrasjes së nxënëses së vitit të katërt që tronditi jo vetëm qytetin e Elbasanit, por gjithë vendin. Ai është vënë në pranga pasi akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se “nga veprimet procedurale të kryera, si këqyrja e kufomës të shtetasit Endrit Llambraj, rezultoi se në teshat e tij, konkretisht në xhepin e pantallonave, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 (tetë) copë fishekë pistolete, si dhe një sasi lënde narkotike, e cila për nga karakteristikat e saj ngjason me atë të lëndës Cannabis sativa, me peshë 3 gramë”. Gjithashtu, policia ka bërë të ditur se, në lidhje me këtë ngjarje është bërë dhe arrestimi në flagrancë i Naim Tahirajt, 48 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Luigj Gurakuqi” Elbasan, i cili aktualisht punonte si roje në shkollën “Mahir Domi”. Arrestimi i tij është bërë pasi ky person ka shpërdoruar detyrën duke lejuar persona të huaj dhe të paautorizuar të futeshin në ambientet e shkollës.
Tafaj në Elbasan: “Ngjarja është shumë e rëndë”
ELBASAN - Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, është nisur menjëherë dje paradite drejt Elbasanit, sapo është informuar për ngjarjen e ndodhur në një prej gjimnazeve të këtij qyteti. I shqetësuar për ngjarjen që tronditi dje paradite jo vetëm Elbasanin, por mbarë vendin, kreu i Arsimit ka qenë i pranishëm në këtë qytet për të inspektuar gjimnazin, ku në orën 09:00 një i ri ka hyrë në ambientet e shkollës dhe ka vrarë një gjimnaziste. “Është një ngjarje e rëndë”, - tha Tafaj, duke u shprehur ngushëllime familjarëve, nxënësve të shkollës. Duke pasur pak informacion për ngjarjen e rëndë, kreu i Arsimit ka cituar vetëm pak rreshta para mediave, ndër të cilat ka premtuar rritje të shërbimit të psikologut në shkolla dhe në veçanti në klasën ku ka ndodhur vrasja. Më pas, ministri i Arsimit ka qenë për ngushëllim në familjen e vajzës.
Dëshmitari
Një nga dëshmitarët okularë të ngjarjes ka treguar për minutat para krimit. “Pak minuta para se të ndodhte vrasja po qeshnim me të në lokal (afër shkollës). Endri hyri në shkollë edhe para se të bënte vrasjen, hapi derën e klasës ku studionte Gerta dhe më pas largua, pasi po zhvillohej mësim. Në 5-minutëshin e pushimit hyri në klasë, u afrua te banka e fundit ku ndodhej vajza dhe e qëlloi tri herë”, - tregoi një nxënës dëshmitar i ngjarjes.
Drejtori: “Vrasësi hyri në shkollë nga porta dytësore”
Drejtori i gjimnazit "Mahir Domi", tha se autori kishte hyrë në shkollë nga një derë sekondare dhe jo nga dera kryesore. Milan Xhudoviç tha se “mësuesit e dezhurnit, si në katin e parë të shkollës, ashtu dhe në katin e dytë, kanë qenë në krye të detyrës, por agresori ka hyrë jo nga dera kryesore, por nga një portë sekondare”. Drejtori i shkollës informon se u njoftuan prindërit dhe të gjithë nxënësit janë dërguar në shtëpi.
12 Maj 2010